Floyd Mayweather është i gatshëm të tërhiqet nga pensionimi, por është i interesuar që të zhvillojë vetëm një meç.
“Ta zhvillojmë duelin. T’ua japim fansave atë që duan ta shohin. Është vetëm një duel i rëndësishëm dhe ai është Mayweather ndaj Conor McGregor”, ka thënë boksieri amerikan.
I pamposhturi në kategorinë e tij në boks konsiderohet favorit ndaj kampionit të dyfishtë të UFC-së, duke qenë se irlandezi asnjëherë nuk ka boksuar në ring. Megjithatë, kampioni i pesëfishtë pret një kundërshtar të fuqishëm, transmeton Telegrafi.
“Secilën herë që Conor McGregor del dhe duelon dhe fiton, ai e bën duke qëndruar në këmbë. Ai është një luftëtar i fortë dhe kundërshtar shumë, shumë i vështirë dhe ka ambicie për të fituar”, ka deklaruar Mayweather.
“Dorezat e UFC nuk dallojnë nga dorezat e boksit, vetëm janë pakëz më të vogla, por nëse kundërshtari ka fuqi… ndërsa Conor McGregor ka fuqi”, ka shtuar ai.
Mayweather ka pranuar se dueli i tij me McGregor do të jetë më i madhi në historinë e sporteve luftarake.
Dueli mes tyre po spekulohet qe disa muaj, ndërsa dy rivalët janë zënë me njëri-tjetrin me komente në rrjetet sociale. /Telegrafi/