Floyd Mayweather e fitoi “meçin e parave” kundër Conor McGregor dhe është rrugës për të hyrë në klubin e sportistëve miliarderë.
Triumfi i boksierit amerikan ndaj kundërshtarit irlandez do ta përfshijë atë në listën e sportistëve më të pasur, duke qenë se spekulohet se përfitimet nga ky duel do të shkojnë mbi 350 milionë dollarë.
Me fitoren e të shtunës mbrëma, legjenda e boksit u konfirmua si më i miri në histori në kategorinë e tij me rekord prej 50-0, ndërsa tashmë ka pasuri prej 880 milionë dollarësh.
Sipas shefit ekzekutiv të Mayweather Promotions, Leonard Ellerbe, ai pritet t’u bashkëngjitjet sportistëve miliarderë, si Michael Jordan e Tiger Woods.
Ndryshe, Floyd, i cili e ka nofkën ‘Money’ (‘Paraja’) ka treguar se fëmijëria e tij ka qenë e vështirë, ka jetuar në varfëri dhe në një familje të çrregullt. /Telegrafi/