Atmosfera para sfidës së madhe të boksit mes Floyd Mayweather dhe Conor McGregor po afrohet.
Ndeshja do të zhvillohet në “T-Mobile Arena” dhe siguria ka filluar të rritet.
Autoritet e policisë në shtetin e Nevadës kanë deklaruar sot se masat janë marr për të parandaluar çdo akt terrorist apo incident, para dhe gjatë duelit janë të mëdha.
Madje në rrugë kanë zbritur edhe forcat speciale anti-terror, me makina të blinduara, që ndodhen në rrugët kryesore të Las Vegasit dhe që patrullojnë kryesisht në zonën përreth stadiumit “T-Mobile Arena”, ku dhe zhvillohet sfida.
Pritet që të jenë 10 mijë britanikë që do të vijnë për të parë këtë sfidë, përveç mjaft vendasve, ndërkohë që stadium ka një kapacitet prej 20 mijë vendesh. Në fakt, masat e sigurisë në qytet janë rritur që ditën e hënë dhe ato janë vërejtur kryesisht dy ditët e fundit, gjatë konferencës për shtyp të dy sportistëve.
Atentati i fundit në Barcelonë ka bërë që masat e sigurisë të jenë thuajse ekstreme për këtë përballje boksi, pasi do të tërheqë vëmendjen e mbarë botës, shkruan Telesport.
Jo vetëm policia, por edhe vetë hotelet kryesore në Las Vegas kanë shtuar masat me polici private, pasi është rritur ndjeshëm numri i vizitorëve në “qytetin e kumarit” në mes të shkretëtirës amerikane.
“Gjithnjë ekziston rreziku i ndonjë sulmi terrorist, ndaj kemi marrë masat ekstreme. Ne kemi përfshirë shumë forca policore, përfshi edhe anti-terrorizmin, për të grumbulluar sa më shumë informacione dhe evituar ndonjë incident”, tha Jeff Clark, shef i policisë së Las Vegasit.