Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May tha të mërkurën se Britania do të largohet nga Bashkimi Europian më 29 mars.
Sipas saj, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi, blloku do të konsideronte vetëm zgjatjen e periudhës negociuese “Neni 50” nëse do të kishte një plan alternativ të besueshëm për dalje.
“Politika e qeverisë është se po largohemi nga Bashkimi Evropian më 29 mars. Por BE do të zgjeronte vetëm nenin 50 nëse në fakt ishte e qartë se ekzistonte një plan që po shkonte drejt një marrëveshjeje të miratuar”, tha ajo para deputetëve britanikë.
Ndryshe, deputetët britanikë kanë votuar të martën kundër marrëveshjes së kryeministres Theresa May për shkëputjen nga Bashkimi Evropian.
Parlamenti votoi 432 me 202 kundër marrëveshjes së saj, që vlerësohet si humbja më e keqe parlamentare për një qeveri në historinë e fundit britanike – dhjetë javë para kohës kur vendi parashihej të largohej nga Bashkimi Evropian.
Vota më domethënëse ndonjëherë është zhvilluar në orët e vona të ditës së martë, pas një debati disa orësh rreth marrëveshjes për “Brexit”.
Një vendim i tillë ka ardhur edhe pse May u kishte bërë thirrje të gjithë politikanëve ta mbështesin marrëveshjen e saj. /Telegrafi/