Site icon Telegrafi

May informon BE-në për etapat e ardhshme të Brexit

Kryeministrja britanike, Theresa May zhvilloi sot biseda telefonike me liderët e Bashkimit Evropian, për t’i vënë në dijeni për negociatat me opozitën, për arritjen e një kompromisi politik për kushtet e Brexit.

Donald Tusk pas telefonatës me May-in postoi një mesazh në Twitter, ku citonte bisedën dhe diskutimet me kryeministren për hapat e ardhshëm të palës britanike.

“Ishte një shkëmbim informacionesh nga të dyja palët, të dy ramë dakord të jemi të kontakt të vazhdueshëm”, pohoi një zëdhënëse e presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

I pyetur nga media në lidhje me hipotezën e një shtyrje të datës së Brexit të planifikuar për më 29 mars, Komisioni Evropian siguroi sërish se nuk i ishte parashtruar një kërkesë e tillë nga ana e Britanisë së Madhe.

Ndryshe, deputetët britanikë kanë votuar kundër marrëveshjes së kryeministres Theresa May për shkëputjen nga Bashkimi Evropian.

Vota më domethënëse ndonjëherë është zhvilluar në orët e vona të ditës së martë, pas një debati disa orësh rreth marrëveshjes për “Brexit”.

Një vendim i tillë ka ardhur edhe pse May u kishte bërë thirrje të gjithë politikanëve ta mbështesin marrëveshjen e saj.

Ndërsa një ditë më pas kryeministrja britanike Theresa May i ka mbijetuar një vote të mosbesimit në Parlamentin britanik. /Telegrafi/

Exit mobile version