Mërgim Mavraj nuk duron më për atë që ndodhi në fushë.
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë ka dalë hapur me një status në rrjetin sociale FaceBook.
Ai ka thënë se siguria e tepruar për mysafirët i ka bërë dëm Shqipërisë.
Mavraj ka treguar se rrezik më të madh nuk kishte se sa Shqipëria kur luajti në Serbi.
Shikoni postimin e plotë nga Mërgim Mavraj:
“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi janë bërë në dëm të së gjorës Shqipëri! Por, a duhet thënë STOP? A duhet të abuzojnë të tjerët me mikpritjen tonë? Një vend nuk e bën të madh numri i banorëve, por karakteri, zemra, dëshira e krenaria e atij populli! Ne kemi tradita dhe këtë e tregon qartë historia e kombit tonë! Ne nuk duhet t’i hedhim asnjëherë poshtë njerëzit tanë, tifozët tanë, gjakun tonë vetëm se “siguria” e tjetrit është në “rrezik”!. A kishte rrezik më të madh se ndaj nesh në Serbi?! A kishte poshtërim më të madh se përçarja e frika që futën te tifozët tanë dy ditë më parë kundërshtarët?! Nuk besoj se ka ndonjë qe mendon se shkaktar i atij “boshllëku” që u krijua në stadium ishte shiu, por paniku i hapur kot së koti. Futbolli duhet të japë mesazhe paqeje e jo të krijojë panik, stres e përçarje. Unë nuk e ndiej veten aspak mirë kur krijohen situata të tilla! Tifozët tanë e duan këtë vend, e duan këtë kombëtare e ndaj duhet ta shijojnë siç duhet, të paktën në shtëpinë e tyre! Të tjerët le ta “gjejnë” të keqen diku tjetër, jo tek shqiptarët!” , shkroi Mavraj. /Telegrafi/