Telegrafi

Mavraj: Ndaj Maqedonisë nuk është thjeshtë një ndeshje futbolli, luajmë për shqiptarët

Mërgim Mavraj e ka cilësuar me fat momentin kur Kombëtarja shqiptare ktheu sfidën ndaj Lihtenshtejnit në favorin e saj falë golit të Roshit.

Mbrojtësi i përfaqësueses, para mikrofonit të “SuperSport” pranoi se Shqipëria nuk ishte shfaqur në maksimumin e saj në këtë duel, ndërsa priste me entuziazëm ndeshjen me Maqedoninë.

“Normalisht që sot, për ne mbrojtësit ishte një ndeshje e rehatshme, nuk kishim shumë punë. Kaluam një ndeshje të qetë. Trajneri i ri ndryshon gjëra, skema, për ndeshjen e parë nuk është dalluar që kemi punuar vetëm një javë bashkë. Na ka përgatitur shumë mirë, ata detyra që na ka dhënë i kemi përgatitur shumë mirë”.

“Besoj se asnjë ndeshje nuk është perfekte, pavarësisht rezultatit. Besoj se asnjë ndeshje nuk është e përsosur dhe ne si Shqipëri e vogël kemi gjithmonë gjëra për të përmirësuar. Në pjesën e parë i krijuam vetes vështirësi duke e hapur lojën nga mbrojtja, jo me shpejtësi, por ngadalë. Normalisht që pastaj na mungonte hapësira në sulm.

“Në pjesën e dytë edhe kundërshtari u lodh dhe na krijoi hapësira, goli i parë që shënuam ishte me fat, nuk ishte se luajtëm shumë mirë, por një goditje standarde. Por ndonjëherë edhe fati të duhet për të hapur lojën”.

Mavraj ka folur edhe për sfidën e radhës të Shqipërisë ndaj Maqedonisë.

Madje mbrojtësi shtatgjatë ka ndezur sfidën ndaj maqedonasve duke thënë se ia kanë borxh shqiptarëve ta fitojnë këtë takim.

“Pika kyçe në këtë ndeshje është që luajmë në Maqedoni, për vëllezërit tonë që jetojnë në Maqedoni. Kjo nuk është thjesht një ndeshje futbolli, por ka rëndësi edhe nga zemra e njerëzve që na ndjekin. Besoj se atje do të jenë shumë shqiptarë që na përkrahin, nga ana ime më ka ngel hatri që nuk luajmë në Shkup. Por do të jemi edhe më të fortë, siç kemi qenë më herët”, tha Mavraj. /Telegrafi/