Telegrafi

Matoshi i reagon BE-së: Taksa hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës

Qeveria e Kosovës, të dielën ka marrë letër nga Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian  Federica Mogherini, në të cilën ofrohet që në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë, emërtimi i shtetit tonë, UNMIK të zëvendësohet me Kosovo*.

Për këtë, Halil Matoshi i cili është këshilltar i Kryeministrit Ramush Haradinaj, duke komentuar letrën e BE-së, ka thënë se përmbajtja e letrës nënkupton më pak Pavarësi për Kosovën.

Sipas tij, oferta e BE-së, nuk është për kompromis, duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të bëjë kompromis me 17 shkurtin.

“Letra e Federica Mogherinit, që thërret Prishtinën zyrtare, për një pakt kompromisi, në thelb është edhe një ftesë për ma pak pavarësi karshi BE-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e shpallur të vendit tonë dhe kjo nuk është as ofertë për kompromis edhe pse në Kosovë askush nuk ka të drejtë dhe nuk do të bëjë kompromis me 17 shkurtin. Me sovranitetin dhe tërësinë tokësore të saj”, ka thënë Matoshi.

Lexo po ashtu BE, Haradinajt: Suspendoni taksën ndaj Serbisë, në këmbim që emërtimi “UNMIK” të zëvendësohet me Kosovo*

“CEFTA-n e ka nënshkruar UNMIK në emër të Kosovës, e cila tash është një entitet i pavarur juridik-politik, i patjetërsueshëm dhe i pa-zhbëshëm si subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Pra, kosovarët janë shumë evropianë, aq sa nuk bëjnë pazare me pavarësinë e tyre kombëtare”, ka theksuar Matoshi.

Matoshi si kundërpërgjigje ka thënë se taksa hiqet vetëm kur Serbia e njeh këtë entitet juridik- politik dhe pavarësinë e tij!

“Kryeministri Haradinaj e ka bërë të qartë për miqtë dhe armiqtë e Republikës: 17 shkurti nuk preket as nuk negociohet”, ka shkruar Matoshi në Facebook.

Ndryshe, vendimi për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ka arritur efektin e parë. BE po ofron një kompromis, i cili do të refuzohet nga Qeveria.

Pas dështimit në INTERPOL për të cilin Serbia loboi maksimalisht kundër Kosovës, Qeveria mori vendim për taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

Humbjet që i shkaktohen Serbisë dhe Bosnja e Hercegovinës karshi taksës së vendosur për produktet e këtyre shteteve nga Republika e Kosovës, po i kushtojnë këtyre shteteve me miliarda euro. /Telegrafi/