Site icon Telegrafi

Matoshi: Kemi pastruar 903 deponi gjatë tre muajve të fundit

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për deponitë e mbeturinave në vend si dhe shqiptimin e gjobave ndaj qytetarëve.

Matoshi tha se për gjatë tre muajve janë pastruar disa deponi të mbeturinave, të cilat gjatë sezonës së dimrit kanë filluar sërish që disa prej tyre të shndërrohen sërish në deponi ilegale.

Ai tha se janë duke hartuar një plan operativ me Policinë e Kosovës, për një fushatë të përbashkët ku do të përfshihen dhe komunat.

“Janë 903 deponi të pastruara për gjatë tre muajve, por një pjesë e tyre kanë filluar që gjatë sezonit të dimrit të shndërrohen prapë në deponi dhe po mundohemi që t’i identifikojmë ato. Pos thirrjeve që kemi bërë që mos të kemi deponi ilegale, tash jemi në hartim të planit operativ të Policisë së Kosovës. Javën e kaluar e pata një takim më drejtorin e policisë, Rashit Qalaj që të fillojmë një fushatë të përbashkët e cila do të zgjas dy muaj. Në këtë plan do të përfshihen dhe komunat e zyrtarët komunal. Një tjetër pikë e zezë është dhe brezi rrugor”, theksoi ministri Matoshi.

Matoshi u shpreh se para një jave zhvilloi takim edhe me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ai tutje tha se e kanë shpallur një grant bashkë me GIZ, për shpërblimin e atyre komunave në vend të cilat kryejnë me sukses menaxhimin e mirë të mbeturinave.

“Pata një takim me ministrin Lekaj dhe jemi dakorduar që bashkë që t’i hapim kontratat e kompanive për mirëmbajtën e rrugëve dhe të brezit rrugor. Jemi në organizim e sipër. Gjithashtu po kërkojmë nga komunat që të jenë më të vëmendshme sepse e kemi shpall një grante për komunat bashkë me GIZ-in, nga ministria 3.5 milionë euro dhe GIZ-in po ashtu me 3.5 milionë të tjera, ku do të shpërblehen komunat që janë të gatshëm për menaxhimin e mbeturinave”, ka thënë Matoshi.

Sipas tij, numri i gjobave të shqiptuara ndaj qytetarëve të cilët hedhin mbeturina nëpër vende jo të duhura ka kaluar mbi 500.

Mirëpo, siç tha Matoshi lajmi i mirë është që qytetarët janë duke i kryer pagesat e gjobave.

“Gjobat e para kanë filluar. Ka kaluar mbi 500 numri i gjobave të shqiptuara. Jam i kënaqur që shumica e njerëzve absolute i kanë paguar gjobat e tyre sepse ata dhe përfitojnë nga pagesa e menjëhershme e gjobës. Në afat prej 15 ditës qytetarët i paguajnë gjysmën e gjobës. Jemi në procedurë për përzgjedhjen e një përmbaruesi për mes të cilës do të bëjmë inkasimin e detyrueshëm të këtyre gjobave”, deklaroi ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi. /Telegrafi/

Exit mobile version