I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Mathew Palmer tha se qeveria e re e Kosovës duhet të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i japë fund fushatës për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që të mundësohet rifillimi i bisedimeve.
Palmer i cilësoi zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë si shumë të rëndësishme për Kosovën, ndërsa nënvizoi se kjo do të jetë qeveria e parë pa forcat që kanë pasuar ish Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës… pa figurat nga e kaluara.
“Kjo dëshmon dëshirën e qytetarëve për ndryshim”, tha ai, duke theksuar se qeveria e re pritet të formohet nga lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Vetëvendosje për herë të parë doli e para në zgjedhje. E njoh zotin Kurti, por si do të sillet në qeveri, është e paqartë”, tha Palmer, duke nënvizuar se Kosova tash duhet të formojë qeverinë, të zgjedhë ministrat, njofton zëriamerikes.
“Shpresoj se do të lëvizin shpejt”, meqë ka “punë për të bërë para se palët të ulen në tryezën e bisedimeve”, u shpreh Palmer.