Hetuesit policorë kanë mundësuar sot që i tërë materiali nga objekti i ish-komunës paralele të Skenderajt në veri të Mitrovicës, t’u dorëzohet institucioneve përkatëse, përkatësisht Arkivit Komunal në Mitrovicë dhe Ndërmarrjes Trepça.
Punëtorët e këtyre dy institucioneve kanë bartur sasi të konsiderueshme të dokumentacionit nga ky objekt të cilin e kanë dërguar në jug, ku do të bëhet klasifikimi.
Kjo ndërlidhet me hetimet që është duke zhvilluar Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Pas mbylljes së komunës ilegale të Skenderajt në veri të Mitrovicës nga organet e Republikës së Kosovës disa ditë më parë, prokurori i shtetit kishte urdhëruar që të gjitha provat materiale të sekuestrohen, ndërsa personat përgjegjës të intervistohen.
Ndryshe, ky objekt ishte në pronësi të Kombinatit Trepça, por që tashmë menaxhohet nga AKP-ja. /Kp/Telegrafi/