Juan Mata është shumë i lumtur te Manchester United dhe është gati të qëndrojë edhe për shumë vite te “Djajtë e Kuq”. Madje dëshiron të ndjekë gjurmët e një legjende, si Ryan Giggs.
29-vjeçari spanjoll, merr shembull pikërisht ish-mesfushorin uellsian kur pyetet për të ardhmen e tij, teksa kontrata aktuale i skadon në fund të sezonit, me United që ka të drejtë ta rinovojë edhe për një vit tjetër.
“Shpresoj të luaj edhe për shumë vite. Do të ishte bukur nëse do të imitoja Ryan Giggs deri 40 vjeç”, ka thënë fillimisht Mata.
“Gjithsesi, është ende herët për të folur. Unë ndihem mirë këtu, sepse jam pjesë e një klubi të madh, ndërsa mbështetja e tifozëve është e jashtëzakonshme”, përcjell SS.
“Aktivizohem prej katër vitesh me Manchester United dhe jetoj në një qytet ku ndihem shumë mirë. Në jetë, e aq më tepër në futboll, mund të ndodhë gjithçka”.
“Unë jam gati të qëndroj për një kohë të gjatë tek United”, përfundoi spanjolli.
Juan Mata spikati fillimisht te Valencia në Spanjë, para se të transferohej te Chelsea, në Ligë Premier, në vitin 2011.
Pas tre sezonesh me “Blutë” e Londrës u transferua te Manchester United, skuadër me të cilën ka shënuar 24 gola në 97 ndeshje të Ligës Premier.