Juan Mata ka zbuluar se është i lumtur në Angli dhe se është në bisedime të reja me Manchester Unitedi për rinovimin e kontratës.
Marrëveshja aktuale e mesfushorit spanjoll me skuadrën nga Old Trafford skadon në qershor të vitit 2019.
Situata e tij te Unitedi ka bërë që shumë skuadra të njohura evropiane të kërkojnë shërbimet e tij.
Mes fjalëve për një kthim te Valencia dhe një lëvizje në Arsenal, mesfushori këmbëngul se përparësia e tij është të mbetet në Angli.
“E ardhmja ime? Jam i lumtur në Angli”, ka thënë fillimisht Mata për Onda Cero.
“Kontrata ime përfundon këtë verë dhe unë jam duke biseduar me Manchester United për të parë se çfarë ndodh”, përfundoi ylli spanjoll.
Ndryshe, Mata është duke zhvilluar sezonin e nëntë në Ligën Premier, ku ka luajtur edhe me fanellën e Chelseat.
Deri më tani, ylli spanjoll ka zhvilluar plot 229 ndeshje dhe ka shënuar 49 gola, teksa ka fituar edhe dy herë Kupën FA dhe disa kupa tjera në Angli. /Telegrafi/