Telegrafi

Mason Mount mbërrin në Carrington për testet mjekësore të Man United

Mason Mount ka mbërritur në Carrington për t’iu nënshtruar testeve mjekësore përpara transferimit të tij te Manchester United.

Mesfushori 24-vjeçar mësohet se ka mbërritur në kompleksin stërvitor të United rreth orës 08:00, me pamjet që tashmë po qarkullojnë në rrjetet sociale.

Mount mund të shpallet zyrtarisht si lojtar i United në ditët në vijim dhe madje mund të bëjë debutimin e tij për klubin kur ata të përballen me Leeds në Oslo javën e ardhshme.

Chelsea në anën tjetër do të fitojë afro 70 milionë euro (me bonuse), derisa i kishin refuzuar tri oferta Djajve të Kuq për mesfushorin anglez.

Blutë nuk dëshironin ta shisnin Mount te rivali i tyre i Ligës Premier, por ishte dëshira e lojtarit që të kalonte në Old Trafford. /Telegrafi/