Telegrafi

Mashtruan me bileta fiktive në vlerë 60 mijë euro, kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente, ndaj të pandehurve S.I. dhe H.H., për shkak të veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të mashtrimit’’.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se nga data 16.12.2020 në vazhdimësi e deri më 30.06.2022, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar të pandehurve M.K. dhe A.B., bashkëpronar të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë, duke u krijuar kushte për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”.

“Sipas kërkesës, nga data 16.12.2020 në vazhdimësi e deri më 30.06.2022, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar të pandehurve M.K. dhe A.B., bashkëpronar të subjektit ‘Prishtina Jet’ në Prishtinë, duke u krijuar kushte për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit”, në atë mënyrë që përmes një marrëveshjeje interne të datës 16.12.2020 të nënshkruar mes të pandehurës S.I. dhe të pandehurit M.K., përfaqësuesi i ’Prishtina Jet’, në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion, kanë hapur një xhirollogari bankare në emër të pandehurës S.I., në një bankë të Lucernit në Zvicër, ku personat e dëmtuar, respektivisht të mashtruar nga përfaqësuesit e subjektit ‘Prishtina Jet’, përmes kësaj xhirollogarie kanë kryer pagesa për blerjen e biletave fiktive të aeroplanit për të udhëtuar nga shtetet e perëndimit për në Kosovës dhe anasjelltas, me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real, kurse mjetet e mbledhura ua kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të pandehurve të subjektit ‘Prishtina Jet’ në Prishtinë dhe atë në shumën prej 227,922.54 CHF”, thuhet në njoftim të prokurorisë.

Tutje bëhet e ditur se në xhirollogarinë e të pandehurit H.H janë transferuar 26.003.02 CHF.

“Kurse në xhirollogarinë e vet të pandehurit H.H., kanë transferuar shumën prej 26,003.02 CHF si përfitim i kundërligjshëm nga ky aktivitet, në xhirollogarinë Sofia-Bulgari shumën prej 199,873.67 CHF, ndërkaq shumën prej 174,695.36 CHF kanë transferuar në subjektin e regjistruar si Southeast – Slloveni, e cila është në pronësi të pandehurit M.K., ashtu që të gjitha këto transferime janë realizuar për periudhën kohore 01.01.2022 – 30.06.2022. Të pandehurit gjenden në ndalim nga data 28 tetor 2022, me urdhër të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nga Policia e Kosovës të shtunën kanë bërë të ditur se dy persona janë arrestuar për mashtrim, pasi dyshohen se kanë pranuar në xhirollogaritë e tyre mjete monetare në vlerë rreth 60 mijë euro gjatë periudhës kohore 2021 -2022 nga persona të ndryshëm të cilët kanë rezervuar bileta të udhëtimit në relacionin Zvicër-Kosovë dhe anasjelltas, e të cilat fluturime nuk janë realizuar.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur në vitet 2021 dhe 2022, në Prishtinë.

Tutje në raport bëhet e ditur se të dyshuarve u janë sekuestruar 35 mijë CHF të cilat i kishin në posedim në momentin e arrestimit, e të cilat dyshohet të jenë përfituar me vepër penale të ‘mashtrimit’.

“Në lidhje me rastin me 28.10.2022 janë arrestuar dy të dyshuar nën dyshimin se kanë pranuar në xhirollogaritë e tyre mjete monetare në vlerë rreth  gjashtëdhjetë mijë (60,000.00) € gjatë periudhës kohore 2021 -2022 nga persona të ndryshëm të cilët kanë rezervuar bileta të udhëtimit në relacionin Zvicër-Kosovë dhe anasjelltas, të cilat fluturime nuk janë realizuar. /Telegrafi/