Policia e Kosovës ka arrestuar të martën një person në Gjilan, pasi që i njëjti dyshohet se gjatë tetorit të vitit të kaluar në rrjete sociale e media, ka postuar foto me emra të rremë ku kërkonte mbështetje financiare për persona të sëmurë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Njësiti i Hetimeve Rajonale Gjilan si rezultat i një pune mirë të organizuar operacionale dhe veprimeve hetimore disa mujore ka arritur që sot me datën 21.02.2023 të arrestojë të dyshuarin kosovar shqiptar B.K. (1992)”.
I dyshuari raportohet se kishte arritur me këtë mashtrim të përvetësonte shuma të konsiderueshme parash.
“Arrestimi i tij nga ana e hetuesve policor rajonal është bërë pasi që i njëjti dyshohet se me datën 23.10.2022 duke përdorur disa rrjete sociale dhe media ka postuar foto të personave me emra të rremë kinse kanë nevojë për ndihmë mjekësore duke kërkuar mbështetje financiare”.
Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit i cili ndaj të dyshuarit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj të njëjtit do të ngritët kallëzim penal për veprën penale ‘’Mashtrim’’ dhe rasti do të procedohet në Prokurorinë Themelore./Telegrafi/