Site icon Telegrafi

Mashtrimi me mikrokreditë, Prokuroria kërkon sekuestrimin e kompanive “Micro Credit Albania” dhe “Final”

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sekuestrimin e shoqërive “Micro Credit Albania” dhe “Final”, të akuzuara se kanë mashtruar disa dhjetëra mijëra qytetarë me dhënien e mikrokredive.

Në njoftimin për mediet Prokuroria bën me dije se ka kërkuar “vendosjen e sekuestros preventive mbi kuotat dhe asetet/aktivet (pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj) të Micro Credit Albania, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe personit juridik – Final, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”,“Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë Kriminale” të kryer në bashkëpunim”.

Nga hetimet, rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperteje vlerësuese, duke pasur që në fillim të ushtrimit të aktivitetit të tyre (aktivitetit të blerjes dhe mbledhjes së kredive të këqija) mendimin unik kriminal, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.

Shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë:

– Përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme (numrat e telefonit, të vetat apo të familjarëve dhe të dhëna të gjendjes civile, punësimi etj);

– Përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefona të vazhdueshme (dhe jo vetëm) me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive;

– Përdorur gënjeshtrën që konsistonte në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore;

– Sekuestrimin e llogarive bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor;

– Kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur; dhe

– Kanë “shitur/kaluar” në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.

Të gjitha veprimet e sipërcituara janë kryer me qëllim për të shtrënguar dhe detyruar debitorët për të marrë kredi të reja me vlerë principial të fryrë dhe me interesa shumë të larta, duke gënjyer që po “ristrukturojnë të vjetrën” apo për të paguar detyrime në vlera të fryra që nuk mbështeteshin në vlerat fillestare të urdhrave ekzekutues të dala nga gjykatat.

Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera.

Nga analiza e sipërcituar rezulton në procedimin penal 2123 të vitit 2020 janë administruar të dhëna të mjaftueshme nga të cilat krijohet dyshimi i arsyeshëm se pasuritë e shoqërive të sipërcituara janë produkt i veprës penale “Mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim”, e për rrjedhojë krijohen dyshime se disponomi i këtyre pasurive mundet që të rëndojë apo të zgjasë më tepër pasojat e veprës penale apo mundet që të lehtësojë kryerjen e veprave të tjera penale, si dhe konsiderohen pasuri që duhet të konfiskohen.

Exit mobile version