Me qëllim të mënjanimit të mashtrimeve ndaj udhëtarëve nga ana e agjencive të paautorizuara, përfaqësues të hotelerisë dhe turizmit kërkojnë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të bënë certifikimin e operatorëve që merren me këtë biznes.
Sipas tyre, certifikimi i tour operatorëve përmes garancioneve bankare do të evitonte mashtrimet ndaj udhëtarëve.
“Certifikimi i tour operatorëve dhe agjencive ndërmjetësuese përmes garancioneve bankare do të evitonte mashtrimet që po i bëhen çdo ditë udhëtareve nga agjencitë fantome dhe ato të paautorizuara nga aviokompanitë dhe hotelet”, thuhet në shkresën publike të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit (OHTK) drejtuar MINT-it.
OHTK thekson se certifikimi do të mundësonte kompensimin e klientëve në rast të falimentimeve.
“Shpallja e falimentimeve të qëllimshme nga agjencitë të cilat nuk kanë garanci bankare ndikojnë në mënyre direkte te klientët të cilët nuk kanë asnjë mekanizëm për kthimin e mjeteve apo marrjes përsipër nga shteti të paketave. Certifikimi që do të shoqërohet nga garancionet bankare do të mundësonte kompensim tek klienti në rast të falimentimeve të qëllimshme apo të paqëllimshme”, thekson OHTK.
Lidhur me këtë çështje, Telegrafi i ka dërguar pyetje Ministrisë së Tregtisë, e cila deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk ka kthyer përgjigje.
Ditë më parë, Prokuroria Themelore ka njoftuar se po heton një agjenci në Prishtinë, e cila dyshohet se ka mashtruar qytetarët për viza.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka sqaruar se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me rastin, ku dyshohet se ky grup i personave ka mashtruar qindra qytetarë, të cilët kanë paguar shuma të konsiderueshme të parave, kinse për sigurimin e vizave në vendet evropiane, ashtu që Prokurori i Shtetit është duke vazhduar me trajtimin e rastit në fjalë dhe ndërmarrjes së veprimeve të tjera hetimore.
“Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm këtë rast dhe personat e përfshirë në kryerjen e veprave penale do të ndiqen penalisht. Andaj, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë të dëmtuar nga ky agjencion turistik, të bashkëpunojnë me organet e rendit, pasi synimi kryesor është luftimi i suksesshëm i krimit dhe sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe mos të bien pre e mashtrimeve të tilla”, thuhej në arsyetimin e Prokurorisë.
Çfarë përmban Ligji për Turizmin?
Përveç regjistrimit vullnetar të operatorëve në Njësinë përkatëse organizative për Turizëm, Ligji për Turizmin nuk parasheh që bizneset që merren me këtë veprimtari certifikohen apo kategorizohen sipas veprimtarisë.
“Të gjithë personat fizik dhe juridik, që merren me ushtrimin e veprimtarisë në fushën e turizmit mund të regjistrohen vullnetarisht në Njësinë përkatëse organizative për Turizëm. Aplikuesi pajtohet me kodin e etikës të hartuar nga Këshilli i Turizmit të Kosovës para se të marrin dëshminë e tyre të regjistrimit”, thuhet në nenin 6 të këtij Ligji.
Në rast të shkeljes së Kodit të Etikës ky Ligj parasheh revokim të regjistrimit.
Neni i 13-të i këtij Ligji parasheh që “të gjitha subjektet afariste që ofrojnë shërbime turistike duhet të i përmbushin detyrimet e tyre ndaj konsumatorëve në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionin në fuqi”.
Ligji kërkon që ketë përpjekje nga ana e operatorit turistik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me klientët.
“Në rast mosmarrëveshjeje me klientin, operatori turistik ose agjenti i udhëtimit duhet të bëjë çdo përpjekje për të arritur një zgjidhje me marrëveshje të shpejtë me klientin. Çdo operator turistik është i detyruar t’i mundësoj konsumatorit të paraqes ankesë me shkrim drejtpërdrejt, përmes postës, faksit ose me postë elektronike”, kërkon Ligji për Turizmin. /Telegrafi/