Site icon Telegrafi

Mashtrimet bankare përmes E-mail-eve dhe SMS-ve: 36 raste të keqpërdorimit të kartelave në 2024 – BQK dhe SHBK rrisin masat e sigurisë

Viteve të fundit mashtrimet financiare përmes internetit janë bërë një shqetësim i madh global, dhe Kosova nuk bën përjashtim.

Bankat, institucionet financiare dhe institucionet tjera kanë raportuar raste të shumta ku qytetarët janë bërë shënjestër e skemave mashtruese, përmes e-mail-eve, mesazheve SMS apo faqeve të rreme.

Së fundmi Policia e Kosovës ka dalë me një apel për qytetarët, ku u ka kërkuar të jenë të vëmendshëm ndaj mesazheve dhe email-eve të dyshimta që mund të përmbajnë lidhje mashtruese.

Policia theksoi se qytetarët nuk duhet të hapin lidhje të dyshimta dhe as të ndajnë të dhënat e tyre personale me burime të panjohura, pasi kjo mund të çojë në viktimizimin nga sulme të mundshme kibernetike.

Lexo po ashtu Rreziku nga sulmet kibernetike, policia del me apel: Mos hapni mesazhe dhe email-e të dyshimta

Një apel të tillë e pati edhe njëra prej bankave në Kosovë, ku kërkoi të kenë kujdes qytetarët për përdorimin e metodave të ndryshme që po ndodhin përmes internetit për realizimin e transaksioneve.

Përballë këtyre sfidave, Banka Qendrore e Kosovës dhe Shoqata e Bankave të Kosovës po punojnë për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të zbatuar masa mbrojtëse ndaj këtyre kërcënimeve.

Në një përgjigje për Telegrafin, BQK theksoi se “njeh rëndësinë kritike të sistemeve të informacionit dhe sigurisë kibernetike në sektorin financiar dhe si masë proaktive për ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të institucioneve financiare.”

Për të forcuar mbrojtjen e transaksioneve financiare, BQK ka përshtatur kuadrin rregullativ në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.

“Bazuar në kërkesat rregullative, të gjitha bankat dhe institucionet financiare janë të obliguara që të zhvillojnë dhe të zbatojnë procedurat e sigurisë me rastin e realizimit të transaksioneve me instrumente të pagesave/kartela”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Përveç aspektit rregullativ, BQK ka themeluar një strukturë të dedikuar për mbikëqyrjen e sistemeve të informacionit dhe rrezikut kibernetik.

Gjithashtu, institucioni është i përkushtuar në sensibilizimin e publikut për rreziqet që vijnë nga përdorimi i shërbimeve digjitale dhe sigurinë e të dhënave personale.

“Në kuadër të Edukimit Financiar, në mënyrë të vazhdueshme është angazhuar të sensibilizojë publikun për nevojën dhe kujdesin e duhur në shërbimet digjitale dhe përdorimin e platformave të ndryshme financiare”, kanë deklaruar tutje nga BQK për Telegrafin.

Sa i përket numrit të rasteve të mashtrimeve të raportuara, BQK theksoi se nuk ka vërejtur një rritje të ndjeshme të tyre.

“Gjatë vitit 2024, janë pranuar dhe trajtuar vetëm 36 ankesa lidhur me keqpërdorimin e Debit apo Kredit kartelës, të cilat janë trajtuar me tutje. Qytetarët që hasin probleme apo dyshojnë për mashtrime, mund të adresohen përmes portalit të Ankesave (https://ankesat.bqk-kos.org/), ku BQK është e përkushtuar që të trajtoj me kujdes secilën ankesë apo shqetësim të pranuar, gjatë gjithë kohës duke mbrojtur konfidencialitetin dhe integritetin e rasteve të paraqitura”, kanë deklaruar nga BQK.

Në të ardhmen, BQK synon të vazhdojë përmirësimin e rregullativës financiare dhe forcimin e kapaciteteve për të mbrojtur sektorin bankar nga kërcënimet teknologjike dhe modelet e reja të mashtrimit.

Lexo po ashtu Policia apelon për kujdes nga mashtrimi përmes SMS-ve

“BQK krahas avancimit të rregullativës së sektorit financiar, edukimit të publikut, do të vazhdojë të investojë në ndërtimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe burimeve njerëzore efektive në mbikëqyrjen e rreziqeve të teknologjive të reja dhe modeleve inovative të biznesit”, kanë thënë nga BQK për Telegrafin.

Ndërkaq nga Shoqata e Bankave të Kosovës lidhur me mashtrimet e financiare, kanë thënë për Telegrafin se bankat nuk i raportojnë këto raste në SHBK.

“Bankat nuk i raportojnë këto raste në SHBK, por nëse një bankë pranon një raportim për tentativë mashtrimi nga klientët e saj, ajo i udhëzon me këshilla dhe hapat që duhet të ndërmarrin”, thuhet në përgjigjen e SHBK-së.

Kjo nënkupton se klientët duhet të jenë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e bankave për të shmangur rrezikun e mashtrimeve.

Një nga skemat më të sofistikuara të mashtruesve kibernetikë përfshin “e-mail-e dhe mesazhe të personalizuara, që duken si të dërguara nga banka apo institucione të njohura.

Këto mesazhe i drejtojnë klientët në faqe të falsifikuara që kërkojnë kredencialet e hyrjes. Për të shmangur këto mashtrime, klientët këshillohen të verifikojnë çdo mesazh dhe të mos ndajnë informacione të ndjeshme me burime të dyshimta.

Për të ndihmuar qytetarët të dallojnë mesazhet mashtruese, SHBK thekson disa shenja paralajmëruese, si “kërkesa urgjente, linqe të dyshimta, gabime gramatikore, kërkesa për informacione të ndjeshme, adresa e-mail-i të dyshimta dhe oferta të tepërta.”

Nëse qytetarët dyshojnë për ndonjë mesazh, ata duhet të kontaktojnë bankën për verifikim.

Në rast të mashtrimeve të mundshme, Shoqata e Bankave të Kosovës thekson se klientët mund të raportojnë rastet e dyshimta edhe përmes kanaleve zyrtare të bankës.

“Qytetarët mund të raportojnë rastet e dyshimta të mashtrimit duke kontaktuar bankën përmes numrit të telefonit ose e-mail-it të dedikuar. Bankat trajtojnë këto raste me seriozitet, duke ndërmarrë masa të nevojshme për të mbrojtur klientët nga humbjet financiare”, kanë thënë nga SHBK. /Telegrafi/

Exit mobile version