Telegrafi

Mashtrime me barna kundër kancerit, qindra policë kryejnë bastisje në lokacione të ndryshme në Hamburg – disa mjekë dyshohen për mitmarrje

Policia gjermane në Hamburg në bashkëpunim me gjykatën ka filluar aksionin e bastisjes së një kompanie farmaceutike “ZytoService”, ordinanca të shumta, barnatore dhe një spital, nën dyshimin se janë bërë mashtrime me barnat kundër sëmundjes së kancerit.

Bëhet fjalë për bastisjet më të mëdha ndonjëherë të realizuara në Hamburg, kurse në këtë aksion kanë marrë pjesë më shumë se 480 policë dhe gjashtë gjykatës, transmeton Telegrafi.

“ZytoService” është prodhues i infuzioneve që përdoren në terapitë kundër kancerit. Në anën tjetër zëdhënësi i gjykatës kundër krimit të organizuar Lidi Ehtering, ka deklaruar se kanë filluar hetimet kundër 14 personave, në mesin e të cilave janë tri barnatore, nëntë mjekë dhe dy persona në pozita kyçe në kompani.

Sipas televizioni gjerman ARD, kjo kompani u ka dhënë ryshfet mjekëve. Nga janari i vitit 2017, disa mjekë kishin marrë para në vlerë prej gjysmë milioni euro nga “ZytoService”, gjithashtu kishin marrë para tjera hua, kanë përdorur vetura luksoze dhe shërbime tjera, e disave u janë blerë pajisje për ordinanca.

Në këmbim të këtyre të “mirave”, “ZytoService” ka kërkuar nga mjekët që t’ju përshkruajnë pacientëve infuzionet që kjo kompani i prodhon. Ndërkaq, Ehtering thotë se gjykata i ngarkon me vepra të rënda siç është mitmarrje dhe mashtrim.

Në terapinë kundër kancerit mjekët, mjekët vendosin se në cilat barnatore pacientët t’i blejnë infuzionet me recetat e tyre, kurse vetëm një terapi kushton deri në 100 mijë euro. /Telegrafi/