Viti shkollor 2021/2022 për nxënësit e klasave 1 deri 8 dhe fëmijët parafillor do të përfundojë më 24 qershor 2022.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e MASHTI-t, Iliriana Pylla.
Ajo më tej ka bërë të ditur se sipas vendimit për kompensimin e ditëve të humbura shkaku i COVID-19, për nxënësit e klasave të 12-ta, viti shkollor ka përfunduar më 20 maj 2022.
Pylla tutje ka bërë të ditur se për nxënësit e klasave 9, 10 dhe 11 viti shkollor do të përfundojë më 10 qershor 2022.
“Sipas vendimit për kompensimin e ditëve të mësimit të humbura për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19, për nxënësit e klasës së 12 ose maturantët viti shkollor 2021/2022 ka përfunduar më 20.05.2022, për nxënësit e klasave 9, 10 dhe 11 viti shkollor do të përfundojë më 10.06.2022, ndërsa për nxënësit e klasave 1-8 dhe fëmijët parafillor viti shkollor do të përfundojë më 24.06.2022”, ka thënë Pylla për Telegrafin.
Kujtojmë se fillimi i vitit të ri shkollor 2021/2022 në Kosovë nuk kishte nisur më 1 shtator, për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19.
Fillimi i vitit të ri shkollor fillimisht ishte shtyrë për datën 13 shtator, e ku pastaj ishte vendosur të shtyhet sërish për datën 27 shtator.
Pas fillimit të vitit shkollor, shumë shkolla u detyruan që në janar të këtij viti të kalonin në mësim online për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.
E një situatë e tillë mund të përsëritet sërish në shtator, por kësaj radhe jo shkaku i COVID-19, por për arsye të paralajmërimeve për grevë nga ana e SBASHK-ut.
SBASHK ka paralajmëruar grevë të përgjithshme nëse brenda 15 ditëve Qeveria e Kosovës nuk i plotëson kërkesat e tyre sa i përket Ligjit të Pagave.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka treguar që mundësia e fundit për të pasur një dialog me Qeverinë është ndërmjetësuesi ligjor, i cili e ka për obligim t’i dërgojë Qeverisë një letër dhe të insistojë për dialog.
“Besoj qe qershori do të kalojë me mësim dhe jo me greva, por nuk mund t’i premtoj as nxënësve, as prindërve e as Qeverisë se nëse përsëri i ikin dialogut, atëherë do ta kemi punën keq, pasi nuk mund të shtyjmë afate më. Shtatori pastaj do të dalë sikur viteve të tjera, me telashe, me kërkesa për greva. Nëse Qeveria nuk e shfrytëzon këtë vullnet tonin të mirin në qershor, shtatori nuk mund të premtoj që mund të na gjej në mësim…”, u shpreh Jasharaj. /Telegrafi/