Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka reaguar pas informatave se në disa komuna të Kosovës të banuara me shumicë serbe, vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat parandaluese kundër përhapjes së coronavirusit nuk është duke u respektuar.
MASHTI u bën thirrje të gjitha drejtorive për arsim në këto komuna që të marrin masa urgjente që ndërprerja e procesit të mësimit të zbatohet konform vendimit të Qeverisë.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës është masë adekuate parandaluese për mbrojtjen e shëndetit publik, dhe në këtë drejtim, çdo tentativë për politizim të çështjes apo mos-zbatim të këtij vendimi, i cili ka karakter obligativ, është i papranueshëm dhe në kundërshtim edhe me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, thuhet në komunikatë.