Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet relevante rreth situatës epidemiologjike të coronavirusit COVID 19.
Në njoftim thuhet se MAShTI deri më tani ka zbatuar të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe është duke shqyrtuar mundësinë që, në bashkëpunim me MSh dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të merren masa të tjera në përputhje me situatën.
MAShTI dhe MSh do të kërkojnë që kjo çështje të shqyrtohet në mbledhjen e kabinetit qeveritar.
Ndryshe, edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë sot të ditur se janë duke shqyrtuar nëse duhet të ndërmerren masa të tjera parandaluese në institucionet arsimore kundër coronavirusit.
Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se në koordinim me ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami po shqyrtojnë nëse duhet ndërmarr masa tjera në institucionet arsimore dhe sipas tij, çdo masë do të koordinohet me autoritetet shëndetësore. /Telegrafi/