Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) përmes një komunikate të dërguar për media, ka thënë se ka pranuar vendimin e EQAR lidhur me procesin e përjashtimit të AKA-së nga regjistrat e vet.
Sipas tyre, ky vendim është duke u trajtuar me seriozitetin më të lartë institucional nga Kryeministri, MASHT dhe AKA.
“Vendimi i EQAR merr për bazë procesin e shkarkimit dhe zëvendësimit të Këshillit Shtetëror për Cilësi. Në këtë vendim parashihet një periudhë prej 90 ditësh, si e drejtë e AKA-së për të argumentuar funksionalitetin dhe pavarësinë e Agjencionit në veprimet strategjike dhe operative të saj”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, AKA do të shfrytëzojë të drejtën për ankesë në afat optimal, duke shfrytëzuar të gjitha argumentet e veta, të MAShT dhe Zyrës së Kryeministrit për ligjshmërinë dhe arsyeshmërinë e vendimeve që prekin këtë proces.
“Me këtë rast, do të argumentohet që personalitetet e emëruara në Këshillin Shtetëror për Cilësi, janë profesionalë, të pavarur politikisht, ekspertë të fushave përkatëse dhe të përgjegjshëm kundrejt detyrave të rëndësishme që pritet të kenë”, thuhet më tej.
“MASHT siguron opinionin publik në Kosovë, veçanërisht, studentët dhe stafin akademik, se është në shërbim të fuqizimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe rritjes së cilësisë së tyre. Gjithashtu, mbesim të përkushtuar që asnjë lloj ndikimi politik apo i grupeve të interesit, të mos ndikojë në devijimin e angazhimeve dhe orientimeve tona të drejta, për të ecur drejt objektivave programore që ka vendosur MAShT që nga fillimi i këtij mandati qeverisës”, thuhet në këtë komunikatë. /Telegrafi/