Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim për shkëputjen e kontratës kolektive me SBASHK-un, e cila ishte nënshkruar më 22 janar 2021.
Një gjë e tillë e kanë konfirmuar edhe nga MASHTI. Këshilltarja për media në MASHTI, Edona Kutleshi-Maliqaj në një përgjigje për Telegrafin tha se shkëputja e kësaj kontrate është bërë për shkak të shkeljeve të shumta ligjore.
“Për shkak të shkeljeve të shumta ligjore, Ministria e Arsimit ka inicuar shkëputjen e kontratës kolektive e nënshkruar më 22 janar 2021. Si Ministri e Arsimit i kemi ftuar përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit që të negociojmë kontratë të re të ligjshme që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit. Në bazë të njoftimeve nga institucionet kompetente, kjo kontratë ka pasur probleme serioze ligjore dhe si e tillë është e pavlefshme. Për këtë kontratë nuk ka pasur asnjë vlerësim ligjor, financiar dhe planifikim buxhetor para nënshkrimit”, ka thënë Kutleshi-Maliqaj.
Ajo ka shtuar se si Ministri e Arsimit tashmë kanë adresuar përmirësimin e pozitës së mësimdhënësve në Ligjin për paga ku me ligjin e ri do të ketë rritje të pagave të punëtorëve të arsimit dhe trajtim të dinjitetshëm.
Telegrafi ka siguruar njoftimin e Ministrisë së Arsimit për shkëputje të Kontratës Kolektive me SBASHK-un.
Në njoftimin e 21 nëntorit 2022 të MASHTI-t, thuhet se vendimi për shkëputje të Kontratës Kolektive është marrë për t’i hapur rrugë negocimit të një kontrate të ligjshme, që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit.
“Qeveria e Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë. Mungesa zbatimit të ligjit e me këtë, mbajtja në fuqi të kontratave që kundërshtojnë dispozitat ligjore, nuk prodhon rezultat të dobishëm për asnjërën palë. Përkundrazi, zbatimi i kontratës së paligjshme cenon përmbushjen e te drejtave legjitime të punëtorëve. Rrjedhimisht, MASHTI ka ndërmarrë këtë veprim, për t’i hapur rrugë negociimit të kontratës kolektive të ligjshme, që avancon dhe mbron të drejtat e punëtorëve të arsimit, e që mbërthehet në vetë përkrahjen ndaj punëtorëve të bazuar në nevojat dhe kushtet e punës”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t drejtuar SBASHK-ut.
Nënjoftim thuhet se Kontrata Kolektive nuk është buxhetuar asnjëherë e as nuk është nënshkruar nga Ministria e Financave, përderisa sipas dokumentit, e njëjta parasheh obligime në emër të këtij dikasteri.
Kjo Kontratë kolektive iu mundësonte mësimdhënësve mbulimin e shpenzimeve për udhëtim, kompensim të shujtës dhe shpërblim jubilar. /Telegrafi/