Site icon Telegrafi

MASHT lansoi instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me mbështetje të Save the Children, ka lansuar sot instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë.

Këto instrumente janë hartuar nga MAShT në bashkëpunim me grupin punues, të përbërë nga anëtarë të ekipeve vlerësuese komunale, të udhëhequr nga profesorë të Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të Padovës.

Këshilltari në MASHT, Fatmir Bytyqi, tha se, arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë e përgjithshme, ndërsa theksoi se MAShT angazhohet në mënyrë të vazhdueshme që të sigurojë qasje në arsim për të gjithë, e veçanërisht që të ofrojë arsimim adekuat për fëmijët me nevoja të veçanta.

Ai falënderoi profesorët e Universitetit të Bolonjës dhe atij të Padovës për mbështetje shkencore në realizimin e këtij projekti.

Për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mbështetjen e Save the Children në këtë drejtim, foli drejtori i kësaj organizate, Ahmet Kryeziu. Ndërsa, udhëheqësi i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, e vlerësoi angazhimin e MAShT dhe partnerëve për hartimin e këtyre instrumenteve, të cilat e lehtësojnë punën në arsimimin e këtyre fëmijëve.

Përmes këtyre instrumenteve, MASHT synon që të lehtësojë punën e Ekipeve Vlerësuese komunale në vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe të fuqizojë bashkëpunimin mes mësimdhënësve dhe ekipit vlerësues në nivel komunal. /Telegrafi/

Exit mobile version