Modeli me të cilin Maserati shënoi fundin e një epoke u prodhua në vetëm 369 njësi. Njësitë e reja po vijnë tani.
Maserati nuk po lulëzon në Stellantis. Edhe pse ka një model SUV në ofertën e saj, rezultatet e biznesit nuk janë më të mirat dhe kompania vazhdon të jetojë me kredi nën kujdesin e Stellantis.
Kush e di, ndoshta kthimi pas në kohë dhe ndonjë model retro do të ndihmonte. Deri më tani, kjo ide është përdorur nga disa të tjerë, transmeton Telegrafi.
Kur bëhet fjalë për klasikun Maserati, puna e ringjalljes së Shamalit u bë nga Modena Automobili. Versioni i ri i veturës vizualisht i ngjan shumë modelit origjinal, linjat e të cilit janë projektuar nga Marcello Gandini.
Por ndryshe nga origjinali dhe motori i tij V8 me twin-turbo, vendi këtu i është dhënë motorit më modern 3-litërsh V6 nga Ghibli i zhdukur. Fuqia është rritur nga 410 në 500 kuaj fuqi.
Në kombinim me ndërruesin automatik me tetë shpejtësi të ZF, Shamal Biturbo i ri arrin 100 km/h për 4.7 sekonda me një shpejtësi maksimale prej 285 km/h.
Duhet të kihet parasysh se kjo veturë bazohet në modelin origjinal, struktura e të cilit është e përforcuar me elementë karboni.
Një pamje e kabinës nuk është zbuluar, por dihet se do të prodhohen 33 njësi. Secila do të ofrohet me një çmim fillestar prej 585 mijë euro.
Çmimi justifikohet nga ekskluziviteti i veturës, por edhe nga fakti se prodhimi manual i veturës zgjat deri në dhjetë muaj. Nga ana tjetër, edhe Maserati MC20 më i shtrenjtë kushton më pak. /Telegrafi/