Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje mori disa vendime të reja në kuadër të luftimit dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19 në vend.
Në kuadër të këtyre vendimeve, Qeveria e bëri të obligueshme bartjen e maskave nga të gjithë qytetarët jashtë shtëpive të tyre, si dhe mbajtjen e distancës fizike prej 2 metrave në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave, shkruan Telegrafi.
Ndërkaq, nga sot (e marte), Policia e Kosovës do të nis shqiptimin e gjobave për të gjithë ata të cilët nuk i respektojnë vendimet e marra nga Qeveria e Kosovës në kuadër të luftimit të pandemisë COVID-19.
Dënimet shkojnë nga 2 deri në 12 vjet burg, ndërsa për kundërvajtje sipas Ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse deri në 8 mijë euro gjobë.
Policia e Kosovës nga dita e sotme fillon punën me orar prej 12 orësh, ku do të ketë prezencë maksimale nëpër sheshe dhe rrugët kryesore.
Ndryshe mbrëmë në vend janë konfirmuar edhe 187 raste me COVID-19 duke quar në total numrin e të infektuarve në 5,118. Po ashtu IKSHPK-ja mbrëmë konfirmoi edhe për 6 raste të reja të vdekjes ku numri i të vdekurve ka arritur në 108. Mbrëmë janë shëruar edhe 103 persona, ndërkaq numri i përgjithshëm i të shëruarave ka arritur në 2,370.
Më poshtë keni të gjitha vendimet e marra dje nga Qeveria:
• Bartja e maskave mbrojtëse është obligative
• Mbajta e distancës prej 2 m obligative
• Institucionet obligohen të mbajnë dezinfektues dhe maska në vende të qasshme
• Qytetarët mbi 65 vjeç dhe qytetarët me sëmundje kronike mund të dalin në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit (prej 05:00 deri 10:00) dhe orët e mbrëmjes (prej 18:00 deri 21:00)
• Në komunat: Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Gjilan, Fushë Kosovë, Shtërpcë, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan nga ora 21:00-05:00 ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave jashtë shtëpive (Qarkullimi lejohet për raste urgjente shëndetësore)
• Pezullohet veprimtaria e çerdheve në Institucionet publike dhe private
• Pezullohen aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura
• Të gjitha Qendrat tregtare obligohen që ta zbatojnë orarin nga 05:00-21:00 duke respektuar në tërësi Manualin për mbrojtje nga COVID-19
• Pezullohen puna në tregjet publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve
• Pezullohen ceremonitë fetare në Institucionet fetare në RKS
• Ndalohet grumbullimi i qytetarëve më shumë se 5 persona në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme
• Operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal
• Qytetarët e Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut obligohen që kur hyjnë në Kosovë të kenë test RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e RKS. /Telegrafi/