Telegrafi

Masat e reja antiCOVID, Policia në 24 orët e fundit dënon 722 qytetarë për mosrespektim

Foto: Arkiv

Policia e Kosovës po vazhdon me implementimin e vendimeve të institucioneve shëndetësore lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Policia vetëm në 24 orët e fundit ka dënuar 722 qytetarë për mosrespektim të masave antiCOVID-19, në kohën kur vendi po përballet me numër të lartë të të infektuarve me coronavirus.

“Evidentimi i rasteve të reja të infektimit me virusin COVID 19, ka qenë shqetësues për qytetarët dhe institucionet në përgjithësi dhe pas masave të reja të ndërmarra nga institucionet e vendit edhe Policia e Kosovës ka rritur kapacitetet në funksion të realizimit dhe implementim të këtyre masave në bashkërendim me autoritetet kompetente”, thuhej në njoftimin për media të Policisë.

Policia ka paralajmëruar se me qëllim të respektimit të masave mbrojtëse, parandalimit të përhapjes së pandemisë duke vënë në pah interesin e shëndetit publik, Policia e Kosovës është duke realizuar detyra konkrete në gjithë territorin e Kosovës, duke aplikuar kontrolle të përbashkëta në trafik, në transportin e udhëtarëve, në qendra tregtare, lokale afariste etj., përfshirë edhe shqiptimin e gjobave ndaj atyre që nuk zbatojnë këto masa.

“Kërkojmë nga të gjithë qytetarët, nga institucionet dhe bizneset që të respektojnë vendimet e fundit të marra nga qeveria e vendit, me qëllim që të ruajmë shëndetin publik si dhe pamundësohet përhapja e mëtejme e virusit.

Siç transmeton Telegrafi, Policia po ndërmerr masa ndëshkuese ndaj shkelësve të ligjit anti-COVID-19.

“Andaj, respektimi i masave dhe kufizimeve në pajtim me vendimeve të fundit të nxjerra nga qeveria e vendit mbetet prioritet për parandalimin e virusit dhe ruajtjen e shëndetit publik”.

Ndryshe, javët e fundit varianti Delta i coronavirusit është më i përhapuri në Kosovë. Në 24 orët e fundit, vendi ka shënuar mbi 2 mijë raste të reja me coronavirus.

Një ditë më parë, mikrobiologu Lul Raka ka bërë të ditur pse varianti Delta po përhapet me shpejtësi të madhe.

“Kemi të bëjmë me një variant i cili është shumë më i transmetueshëm dhe i cili ka qarkulluar nëpër shumë shtete të Evropës disa javë më herët dhe është pritur se do të vjen edhe në Kosovë”.

Varianti Delta është më i transmetueshmi deri më sot. Përqendrimi i tij është gati 1000 herë më i lartë në zgavrat e hundës dhe të gojës ku bëhet edhe përhapja më e shpeshtë prej personit në person”.

Pra, përqendrimi është 1000 herë në rrugët e frymëmarrjes dhe të gojës të cilët janë rrugët kryesore të transmetimit. Kjo i bie se në qoftë se ka 1 mijë herë virus aq mundësi është për tu përhapur. P.sh nëse me variantin e vjetër virusin e ke shpërndarë në tre persona me variantin ‘Delta’ mund ta përhapësh deri në gjashtë persona ose edhe më shumë”, ka thënë ai. /Telegrafi/