Telegrafi

Masakra nga forcat serbe në Poklek të Drenasit ndaj 53 civilëve, Kurti: Edhe sot muret janë të mbuluara me gjakun e të vrarëve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit monografi për masakrën e Poklekut “Shtëpia me gjak në mure”, të autorit Afrim Hysenaj, që u organizua në shtëpinë muze të kësaj masakre në Drenas.

Duke kujtuar 17 prillin e vitit 1999, kryeministri Kurti tha ajo pasdite pranvere u përgjak nga forcat e armatosura kriminale e terroriste të Serbisë, të cilët vranë 53 civilë shqiptarë të paarmatosur, nga 75 vjeç derti te foshnja 6 muajsh Liria, e gratë shtatzëna.

“Nga rrjedha e gjakut të atij krimi buron edhe titulli i këtij libri që na ka rikthyer këtu në shtëpinë me gjak në mure”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar po ashtu se ky libër ka përmbledhur përjetimet e të mbijetuarve, dëshmitarëve dhe kujtimet për familjarët, derisa potencoi se kujtimet për të vrarët ruhen edhe brenda kësaj shtëpie muze të familjes Muqolli, të muzealizuar me mbështetjen institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti gjithashtu përmendi projektin serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”, dhe përpjekjet e shtetit serb që të zhdukte gjurmët e krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve.

“Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Është edhe thirrje për drejtësi. Edhe ky libër përshkohet nga kërkesa e familjarëve për drejtësi”, u shpreh kryeministri.

Nga Pokleku i Drenasit, aty ku edhe sot e kësaj dite muret janë të mbuluara me gjakun e të vrarëve, kryeministri Kurti bëri thirrje që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës, pra të nis procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës edhe kur ata janë në mungesë.

Kryeministri tha se vepra që na ka mbledhur sot është kujtim për të vrarët e përkujtim për të gjallët mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e drejtësisë.

“Krimet e luftës nuk parashkruhen sikurse që nuk harrohen vuajtjet, dhimbjet e humbjet e familjeve Muqolli nga Pakleku, Caraku nga Dritani (ish-Dobroshevci), Elshani nga Korrotica e Poshtme dhe Hoxha nga Korrotica e Epërme”, përfundoi fjalën e tij, kryeministri Kurti.

Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku në një postim në Facebook shkruan se emocion, dhimbje por edhe forcë japin takimet me të mbijetuarit e familjarët e viktimave të masakrës së Poklekut, në Drenas.

“Emocion, dhimbje por edhe forcë na japin takimet me të mbijetuarit e familjarët e viktimave të masakrës së Poklekut, në Drenas.

Pas muzealizimit të shtëpisë që rrëfen të vërtetën e dhimbshme të masakrës, sot u bë edhe një hap shumë i rëndësishëm në dokumentim të kësaj ngjarje. Me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, u publikua libri “Shtëpia me gjak në mure”, nga autori Afrim Hysenaj, libër ky me dëshmi, rrëfime e materiale që do ta mbajnë gjallë përgjithmonë historinë e 53 civilëve të vrarë shqiptar në Poklek”, shkruan ai. /Telegrafi/