Dëshpërimin se nuk munden të futen në Kiev, ushtarët rus e kanë shprehur në qytetet përreth.
Të shtunën trupa civilësh të vdekur u gjetën të hedhur nëpër rrugët e qytetit Bucha të Ukrainës, tre ditë pasi ushtria ruse u tërhoq nga një sulm njëmujor ndaj kësaj zone që ndodhet 30 kilometra në veriperëndim të Kievit.
Fotografitë dhe videot e publikuara kanë shfaqur dhjetëra trupa të civilëve të vrarë, disa prej të cilëve me duar të lidhura pas shpine.
Këto imazhe kanë shokuar botën dhe kanë shtuar thirrjet për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe që keqbërësit të ndiqen penalisht.
Banorët e Buças, në periferi të Kievit, i thanë Radios Evropa e Lirë se ia dolën që t’i mbijetonin vrasjes “sistematike” të popullsisë së këtij qyteti, që deri pak kohë më parë ishte nën okupimin e trupave ruse.
Disa banorë lokalë thanë se ajo që panë pasi dolën nga shtëpitë e tyre me të hyrë trupat ushtarake ukrainase në qytet ishte “e tmerrshme”, pasi trupat e dhjetëra civilëve që ishin vrarë, ishin të shtrirë nëpër rrugë.
Një person tha se një snajperist rus qëllimisht kishte vrarë disa persona në këtë zonë, përfshirë edhe një familjar të tij.
“Një snajperist filloi të qëllonte në këtë zonë më 5 mars”, tha ky person. “Kur ne u larguam nga shtëpia atë ditë para orës policore, dhëndëri im u vra me snajper. Pas kësaj filloi gjithçka, ata filluan të shtinin ndaj personave që gjendeshin jashtë”, tha ky banor.
Një tjetër banor i Buças tha se ka parë ushtarët rusë duke vrarë tre civilë dhe shtoi se ushtarët i qëlluan ata pa asnjë arsye.
“Pasi e qëlluan njërin, ata hodhën një granatë në trupin e tij. Më vonë, ne varrosëm mbetjet mortore të tij… ishte e tmerrshme”, tha ky person, duke shtuar se edhe vëllain e tij e kishin vrarë teksa ai ishte duke shkuar në një strehimore më 5 mars.
“Kishte një sistem”, tha ky person. “Ata po i vrisnin njerëzit në mënyrë sistematike. Personalisht kam dëgjuar se si një snajperist mburrej se kishte vrarë dy persona që i kishte parë përmes një dritareje të një banese… Nuk kishte nevojë, nuk kishte asnjë justifikim ushtarak për të vrarë… ishte thjesht për të torturuar civilët. Në një lagje tjetër, banorët u torturuan. Ata u gjetën me duar të lidhura pas shpine dhe ishin qëlluar me plumba pas koke”.
Këto krime po krahasohen me ato që ishin parë në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.
Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, ky krim është më lehtë të dokumentohet se ato që kishin ndodhur në Kosovë.
“Është më lehtë pasi hetimet kryhen menjëherë pas krimeve. Është shumë më lehtë të vihet te provat, qofshin ato materiale apo forenzike, derisa për rastet në Kosovë ky proces ka qenë shumë më i komplikuar”, deklaroi Blakaj për RTV Dukagjinin.
Sipas Blakajt Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të fillojë hetimet menjëherë.
“Në vendin e quajtur Bucha ka pasur vrasje masive të civilëve, si duket nga forcat ruse. Kjo është mjaft e ngjashme me vrasjet masive që kanë ndodhur gjithandej Kosovës gjatë luftës”, tha tutje Blakaj./Telegrafi/