Telegrafi

Masakra në Beograd, kryeministri Rama shpreh ngushëllimet për viktimat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar për masakrën në Serbi ku një 14-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri dhe ka ekzekutuar nëntë persona në një shkollë fillore.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Rama shkruan se ngjarja është jashtëzakonisht e trishtueshme ndërsa shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave.

“Është jashtëzakonisht e trishtueshme të dëgjosh për të shtënat e sotme pa dallim në një shkollë të Beogradit. Ngushëllimet e mia më të thella shkojnë për familjet e viktimave, si dhe për popullin dhe autoritetet serbe. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve në këtë ngjarje tragjike”, shkruan Rama në Twitter.

Rama e ka shoqëruar postimin e tij edhe me një status në gjuhën serbe.

Lexo po ashtu Një nxënëse tregon çfarë ndodhi në klasë, dëshmitarët tmerrin që panë – rrëfimet nga sulmi që la nëntë të vrarë në një shkollë fillore në Beograd të Serbisë

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e ditës së sotme ku 7 vajza, një djalë dhe një roje mbetën të vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga një 14-vjeçar.

Ndërkohë 6 fëmijë të tjerë dhe një mësues kanë mbetur të plagosur.

Ai shtoi se gjashtë fëmijë janë thirrur në spital, si dhe një mësues të cilët aktualisht ndodhen në spital.

Aktualisht autori i ngjarjes i mituri i identifikuar K.K është arrestuar ndërkohë mediat kanë publikuar dhe pamje nga momenti i arrestimit. /Telegrafi/