Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujuar 25-vjetorin e masakrës në qytetin e Vushtrrisë.
Osmani ka shkruar se më 22 maj 1999, regjimi gjenocidal i Serbisë tentoi t`i shfarosë banorët shqiptarë në rrugën “Abdullah Shabani”, në Vushtrri.
“Pasi që dëboi banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, 68 prej tyre, në mesin e të cilëve fëmijë e të moshuar, i mbajti peng në shtëpinë e Kahriman Pasomës dhe pas torturave mizore i vranë.
Banorë të tjerë, regjimi kriminal serb i tuboi në sallën e sportit dhe në burgun e Smrekonicës, ku pas torturave dhe plaçkitjes i dëboi dhunshëm për në Shqipëri”, ka shkruar Osmani.
Presidentja ka shtuar se gjurmët e krimit u përpoqën t`i fshehin, teksa trupat e shumicës së të vrarëve u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.
“Drejtësia për viktimat e masakrës së Vushtrrisë, sikurse edhe për të gjitha viktimat e masakrave të tjera në gjithë Kosovën, është e domosdoshme dhe përkushtim i vazhdueshëm. Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Vushtrrisë dhe të gjithë të rënët për liri”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/