Site icon Telegrafi

Begaj përkujton Masakrën e Reçakut: Zgjoi botën për barbaritë e Millosheviçit

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama kanë përkujtuar Masakrën e Reçakut, teksa ky 15 janar shënon 25 vite nga kjo ngjarje e rëndë.

Kreu i shtetit, ka publikuar në Facebook një foto të tij gjatë dekorimit të ish ambasadorit të OSBE në Kosovë William Walker, i cili ishte zyrtari i parë që vizitoi vendin e ngjarjes dhe pa masakrat e kryera në Kosovë.

Begaj e ka cilësuar këtë ditë si një zgjim për të gjithë botën për të parë masakrat që regjimi i Sllobodan Millosheviç ka kryer në Kosovë si dhe një ditë reflektimi ndaj barbarive ndaj njerëzimit.

Presidenti tha se 15 janari duhet të shërbejë si kujtesë për të mbrojtur paqen dhe sigurinë.

“Sot një çerekshekulli nga masakra e Reçakut, të lutemi për shpirtin e civilëve të pafajshëm, viktima të genocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviç në Kosovë. 15 janari 1999, zgjoi botën për reflektim ndaj masakrave barbare që kryheshin në Kosovë. Kjo kujtesë sot është motiv i fortë për të mbrojtur paqen, sigurinë, lirinë e dinjitetin njerëzor nga çdo makineri dhune që ushqehet nga racizmi, ekspansioni dhe armiqësia ndaj tjetrit”, shkruan Begaj në facebook.

Kreu i qeverisë shpreh nderimet për viktimat e kësaj masakre.

“25 vite nga Masakra e Reçakut. Nderim për viktimat e krimit shtetëror të luftës për spastrimin etnik të Kosovës, që tronditi mbarë botën”, shkruan Rama.

Ish ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker ishte zyrtari i parë që vizitoi Reçakun dhe pa masakrën, ndërsa e cilësoi atë si “ngjarjen më të trishtë të jetës së tij”. Një vit më parë Presidenti Bajram Begaj dekoroi ish ambasadorin William Walker me medaljen “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

15 janari 2024 shënon 25 vite nga masakra e Reçakut, ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.

Exit mobile version