Site icon Telegrafi

“Masakra e Mejës”, prokurorja Hajdari: Në aktakuzë janë 53 persona, vranë 370 civilë dhe tentuan të fshehin krimet në Serbi

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për medie, lidhur me ngritjen e aktakuzave për krime të luftës.

Prokurorja Drita Hajdari ka bërë të ditur se deri tani prokurorët kanë ngritur 33 aktakuza kundër 89 personave, për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë, transmeton Telegrafi.

Ajo tha se Prokuroria Speciale ka marrë kompetencat dikur në vitin 2016, për të pranuar të gjitha rastet në vitin 2018 ku në mesin e tyre ka qenë edhe Masakra e Mejës.

“Sa i përket aktakuzave, ju njoftoj se deri tani prokurorët kanë ngritur 33 aktakuza me 89 persona. Me marrjen e kompetencave ishim ballafaquar me shumë probleme, e sidomos me rrethanat që kryerësit e këtyre veprave nuk kanë qenë në Kosovë, shumica e tyre në Serbi, e viktimat dhe dëshmitarët në Kosovë. E kjo ka ngritur vështirësi, se nuk kemi mundur të ngrisim aktakuza pa i marrë në pyetje por kjo nuk na ka ndalur. Ne kemi zhvilluar hetimet dhe kemi mbledhur provat, kemi intervistuar dëshmitarët”, theksoi ajo.

Hajdari shtoi tutje se sa i përket masakrës se Mejës në aktakuzë janë 53 persona.

Lexo po ashtu Prokurori Morina flet për Masakrën e Dubravës: Nën hetim janë 88 të pandehur, një është në paraburgim

“Rastin e kemi trashëguar nga EULEX, rastin e ka hapur në vitin 2013 kundër 18 personave, dhe me pranimin e rastit, kemi vazhduar hetimin me grumbullimin e provave, intervistimin e dëshmitarëve. Kemi siguruar prova relevante nga Gjykata në Hagë, kemi zgjeruar hetimin edhe për 35 persona. Në aktakuzë janë 53 persona për masakrën e Mejës.

Aktakuza është e strukturuar në tri pjesë, pjesa e parë përfshin pesë persona që kanë planifikuar masakrën, pjesa e dytë përfshin grupin prej 11 të cilët kanë zbatuar planin e masakrës, grupi i tretë, prej 37 të pandehurve përbejnë ekzekutorë direkt”, tha ajo.

Tutje, Hajdari ka dhënë detaje për masakrën, duke thënë se në vitin 1999 janë vrarë 370 civilë.

Lexo po ashtu Mbi 13 mijë të vrarë, mbi 400 masakra dhe 6 mijë të zhdukur gjatë luftës – Krimet e Serbisë në Kosovë dhe disa nga masakrat më të rënda

“Hetimi i Prokurorisë Specialw vërteton se në periudhën 27 -29 prill 1999 ishte zhvilluar një operacion sistematik i ushtrisë jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në atë operacion janë vrarë 370 civilë, të cilët nuk merrnin pjesë në luftë. Përveç vrasjes, operacioni përfshinte dëbimin e civileve, dhe djegien e shtëpive. Këto dëbime ishin të përfshira me keqtrajtime. Trupat e të vrarëve ishin varrosur në varrezat publike në Gjakovë, të cilët më vonë u zhvarrosen dhe u vendosën në Serbi, me qëllim për të fshehur krimet”, tha ndër tjera ajo.

Prokurorja shtoi tutje se masakra e Mejës është masakra më e madhe në Kosovë gjatë luftës.

Ajo tha se kjo aktakuzë do të kalojë në shqyrtimin gjyqësor dhe epilogun do ta marrë në Gjykatë. /Telegrafi/

Exit mobile version