Telegrafi

Masa të shtuara në ofrimin e sigurisë në shkolla

Në vazhdën e implementimit të planit operativ ‘Siguria në shkolla’, plan ky që ka për qëllim ofrimin e sigurisë për nxënësit e të gjitha niveleve, me qëllim të parandalimit të dukurive negative, në kuadër të këtij plani, mbi bazën e informacioneve të siguruara dhe dyshimeve të ngritura për posedim të gjësendeve të kundërligjshme të nxënësve në shkolla, Stacioni Policor në Vushtrri ka realizuar një urdhër kontroll të nxënësve brenda hapësirave të shkollave.

“Urdhër kontrolli u realizua në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, me ç’rast janë kontrolluar nxënës dhe klasa mësimi në tri shkolla të mesme në Vushtrri.

Në kontrollin e realizuar janë përfshirë mbi 2400 nxënës, ku janë gjetur dhe janë konfiskuar 9 (nëntë) mjete të kundërligjshme:

7 (shtatë) mjete të mprehta thika
1 (një) shufër metalike
1 (një) boks hekuri

Duke pasur parasysh se brenda planit operativ policor fazat e veprimit policor janë të njëpasnjëshme për qasje proaktive në fushën e ofrimit të sigurisë në objektet edukativo-arsimore Policia do të vazhdojë bashkëpunim të ngushtë me autoritete edukativo-arsimore, si në nivel të drejtorive komunale të arsimit ashtu edhe të drejtorive të shkollave”, thuhet në njoftimin për media. /Telegrafi/