Site icon Telegrafi

Marubi mes rregullave dhe tekave të Nadarit

Tefta Tashko Koço fotografuar nga Marubi dhe Sarah Bernhardt fotografuar nga Nadar

Andreas Dushi

“Fotografinë më të mirë ia bëj personit që njoh më mirë!”, ka thënë një fotograf francez, më tepër se një shekull më parë. Gaspard-Félix Tournachon, fotografi që revolucionarizoi historinë e fotografisë duke e parë shkrepjen e aparatit si art, nën pseudonimin Nadar, ishte ati i një dinastie që vazhdoi për dekada, nën siglën e së cilës u realizuan disa ndër fotografitë që e ruajnë në mënyrën më të bukur kujtesën historike, artistike dhe sociale të Francës.

Rreth gjashtëdhjetë prej këtyre fotografive erdhën e u takuan me simotrat e tyre në Muzeun Kombëtar “Marubi”, ku u çel ekspozita “Mes rregullave dhe tekave”, kuruar nga Michel Poviert.

Aty ku më parë ishin fotografitë e Angjelin Nenshatit, Nadarët rrinë më natyrshëm. Nga metodat dhe mënyrat, fotografia i ngjason shumë asaj të Marubëve, e cila krenare tregon ndodhitë dhe personazhet kryesorë të shekullit që ka shkuar.

Për çudi, thuajse janë formuar në të njëjtën shkollë artistike: Nadarët dhe Marubët kanë në qendër personazhin, e në një kohë të dytë personazhin në raport me mjedisin e vënë në dobi të tij. Për to, fotografia është individualiste, pra lidhet drejtpërdrejt me individin që fotografohet.

Qasja e Felix Nadarit ishte “tradicionale” në raport me atë të të birit, Paul Nadal. Njëlloj ndodh edhe me dinastinë e Marubëve, ku Pjetri, i pari i saj, fotografinë e ka tradicionale, kryesisht në trajtë portretesh zyrtare që u bëhen atyre që duan apo duhet ta përjetësojnë vetveten, ndërsa Keli e në fund Gega thyejnë ndjeshëm këto rregulla duke kaluar deri në kapjen e momenteve të përditshmërisë.

Nadar në Francë dhe Marubi në Shqipëri nuk punojnë vetëm në studio. Ata e lënë studion dhe ndjekin personazhin e fotografisë së tyre. Marubi e gjen atë në njeriun e thjeshtë dhe përditshmërinë e tij, ndërsa Nadari në intelektualin e kohës, kryesisht aktorët dhe premierat e tyre. Të ndriçuar nga muza, duke kërkuar heroin e veprës së tyre artistike (fotografisë), të dy takohen në qendër të Shkodrës për të qëndruar bashkë disa kohë.

Tani që ekspozita është e hapur, muzeu po vizitohet gjithnjë e më shumë. Nadar thoshte se fotografia është diçka të cilën ka njerëz që e shohin dhe njerëz të tjerë që nuk e shohin. Ata që mund të shohin fotografinë e tij, gjejnë në të një visar të paçmueshëm përjetimi artistik dhe gurrë frymëzimi.

Rregullat dhe tekat e Nadar kanë ardhur në Shkodër, ndërsa në Paris, prej datës 16 tetor po tregohet ana legjendare e trashëgimisë artistike të familjes Nadar në një ekspozitë të titulluar “Nadarët, një legjendë fotografike” që do të rrijë e çelur deri në shkurt të vitit 2019.

Studiuesit e historisë së artit, mes tyre edhe drejtori i Muzeut Kombëtar “Marubi”, bashkë me artdashësit e qytetit, janë entuziastë për ekspozitën. Ndër televizionet lokale dhe disa kombëtare flitet shpesh për të, karakterin e saj dhe mënyrën se si është ndërtuar dhe konceptuar.

Një pasuri e lëvizshme mund të konsiderohet arkivi personal i Nadarit i cili është blerë nga Ministria e Kulturës së Francës dhe tani është pasuri shtetërore. Shkodra ka fatin që për pak kohë të ndriçohet nga shkëlqimi i këtyre dy trashëgimive fotografike që komunikojnë në të njëjtin shtrat muzeal.

Exit mobile version