Ndonëse tregu i verës do edhe disa muaj të hapet, Interi gati ka bërë edhe goditjen e parë.
Zikaltrit besohet kanë nënshkruar një kontratë pesë vjeçare me sulmuesin argjentinas të Racing, Lautaro Martinez, i cili do t’i bashkohet Interin nga vera e këtij viti.
Drejtuesit e klubit italian, të ndihmuar edhe nga Diego Milito, që mban një post drejtues te skuadra e Racingut, kanë mposhtur konkurrencën e Real Madridit dhe Chelseat, në garën për të rrëmbyer sulmuesin 21-vjeçar.
Zikaltrit do të paguajnë rreth 21 milionë euro për kartonin e Martinezit, aq sa ishte e parashikuar në klauzolën e prishjes së kontratës së tij.
Djaloshi luan prej 2015-ës te Racing, ndërsa në 35 ndeshje, ka shënuar 16 gola dhe cilësohet si një Milito i ri. Të shumta janë zërat që thonë se do të jetë pikërisht Martinez, ai që do të marrë vendin e Icardit, nëse kapiteni do të largohet në verë.
“Kam folur me Zanettin dhe Simeonen, ndërsa Milito më ka treguar më shumë për Interin dhe atë që kjo skuadër përfaqëson. Unë do të doja të rrija gjithë jetën te Racing, por e di që kjo është e pamundur”, tha Martinez.
Ndërkohë orët e fundit, mediat italiane raportojnë se Interi po punon për të afruar një tjetër futbollist në tregun e verës.
Bëhet fjalë për mesfushorin e Sampdorias, Lucas Torreira, një 22-vjeçar mjaft interesant, që po shkëlqen këtë sezon dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve.
Klauzola e prishjes së kontratës së uruguaianit është 25 milionë euro dhe Ausilio po punon për të përfshirë në marrëveshje edhe sulmuesin e ri, Andrea Pinamonti. /SS/
https://www.youtube.com/watch?v=62EgSAdP_uc