Sulmuesi i ri i Interit, Lautaro Martinez, ka falënderuar kapitenin Mauro Icardi që po e ndihmon shumë në muajt e tij të parë në Itali.
Argjentinasi është i entuziazmuar që do të luajë në Ligën e Kampionëve dhe shpreson të ketë suksese në garën më të madhe për klube.
“Sulmuesi favorit? E kam thënë gjithmonë dhe është Falcao”, ka thënë Martinez për Clarin.
“E admiroj mënyrën e tij të lojës dhe identifikohem me atë. Tani po mësoj nga Icardi, ai po më ndihmon shumë dhe e falënderoj”.
“Kalojmë shumë kohë së bashku edhe jashtë fushës. Po më ndihmon shumë në këta muaj të parë dhe i jam shumë mirënjohës. Ai jep 100 për qind për bashkëlojtarët, ndihmon gjithmonë të rinjtë dhe është shumë i fortë në aspektin taktik”.
“Jemi ekip i ri, me lojtarë të rinj. Ende jemi duke e njohur njëri-tjetrin. Jam i lumtur që do të luaj në Ligën e Kampionëve”.
“Do kemi disa ndeshje të bukura ndaj Barcelonës, Tottenhamit dhe PSV-së, do të japim më të mirën që të bëjmë historinë”, ka shtuar Lautaro.
Martinez iu bashkua Interit për 23 milionë euro nga klubi argjentinas, Racing Club. /Telegrafi/