DJ me famë botërore, Martin Garrix, ka mbajtur konferencën për shtyp para performancës së tij në Festivalin Sunny Hill, ku ka qenë i shoqëruar nga Dukagjin Lipa.
Holandezi i famshëm ka thënë se është shumë i entuziazmuar që ndodhet për herë të parë në këtë festival dhe duke i parë videot nga koncertet tjera mezi pret të performojë para publikut dhe se janë bërë të gjitha përgatitjet për një paraqitje të madhe.
Garrix deri më tani ka bashkëpunuar me dy shqiptare, Dua Lipën (“Scared To Be Lonely”) dhe Bebe Rexhën (“In The Name Of Love”), ndërsa ai ka thënë se do të ishte i gatshëm të bënte ndonjë këngë tjetër me Duan apo me Beben.
DJ-i holandez ka thënë se nuk ka ditur për Kosovën para se të vinte këtu, pos që ka ditur se kishte këngëtarë që vinin nga ky vend. Ndërsa tash e ka parë se të njerëzit këtu duan të argëtohen, të gjithë janë miqësorë dhe pozitivë.
Duke komentuar bashkëpunimin me Dua Lipën, ai e ka quajtur këngëtaren shqiptare një gjeni duke thënë se ajo është shumë miqësore, shumë e hapur dhe jemi bërë miq.
Gjatë konferencës, ai ka folur edhe për projektet e radhës duke thënë se është duke punuar në materiale të reja muzikore që do t’i sjellë në të ardhmen.
Martin ka kërkuar që t’ia mësojnë disa fjalë shqipe para koncertit dhe natyrisht se fjala e parë që ka mësuar është ‘faleminderit’.
Nga ana e tij, Dukagjin Lipa është shprehur i lumtur për praninë e Martin Garrix duke quajtur DJ-in më të mirë në botë. /Telegrafi/