Telegrafi

Marsh protestues në Shkup në mbështetje të Palestinës

Qindra qytetarë me mesazhe prekëse, marshuan për paqe në Gaza. Marshi filloi nga parku i çairit dhe vazhdoi deri tek sheshi “Skenderbeu”. Nga platforma për Palestinën kërkuan ndërprerje të menjëhershme të luftës në Gaza dhe respektim të marrëveshjes ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Dua të theksoj se lufta në Gaza nuk ka filluar më 7 tetor dhe se mbi 11500 civilë të vrarë prej të cilëve mbi 4630 fëmijë dhe mbi një milion njerëz të larguar nga vendbanimet e tyre, nuk janë viktimat e para dhe të vetmet civile në Palestinë. Sot ne po dëshmojmë gjenocid dhe jemi të pafuqishëm për ta ndal ndërsa pushtetarët tanë as nuk e gjykojnë atë. Prandaj ftojmë për ndërprerje urgjente të të gjitha veprimeve ushtarake në Gaza, për shpëtimin e të gjithë jetëve njerëzore dhe për respektim të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.

“Jemi të zhgënjyer nga votimi i përmbajtur në Kombet e Bashkuara dhe nga politikanët tanë që deri tani nuk morën guximin për t’i korrigjuar qëndrimet e tyre dhe të pozicionohen në anën e paqes dhe arsyes. Nga ky tubim i yni edhe njëherë apelojmë deri tek kryetari i shtetit , kryeministri dhe kryetari i parlamentit që ti dëgjojnë reagimet e qytetarëve për ndërprerje të luftimeve, për mosrespektim që po i bëhet të drejtës ndërkombëtare, humanitare si dhe për dërgimin e ndihmës humanitare nga buxheti i shtetit”, thanë nga Platforma.

Qytetarët thanë se kjo që po ndodh në Gaza është gjenocid. Terrori që po përjetojnë ata fëmijë po prek thellë zemrat e të gjithëve dhe kërkojnë që bota të mos hesht për këtë luftë të tmerrshme.