Telegrafi

Marrëveshjen e Kosovës me MCC-në e nënshkroi vajza e Madeleine Albright, Kurti: Nga çlirimi te zhvillimi

Marrëveshja për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së, u nënshkrua nga Alice Albright, vajza e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq në mars të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kjo është ngjarje historike për Kosovën, zhvillimin dhe lidhjen e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në njërën anë të marrëveshjes është pikërisht zonja tjetër Albright, Alice, vajza e Sekretares së Shtetit, nënshkrimin historik të së cilës e mban intervenimi i NATO-s në pranverën e vitit 1999 për ta ndalur gjenocidin e Jugosllavisë dhe Serbisë së Milosheviqit në Kosovë. Nga çlirimi te zhvillimi, nga Albright te Albright”, ka shkruar ai në Facebook.

Lexo po ashtu Marrëveshja 200 milionëshe me MCC-në, Kurti: Ditë historike për Kosovën

Tutje, Kurti ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Washington përveçse është ditë e shënuar e një bashkëpunimi historik mbi qëllime të përbashkëta në sektorin e energjisë, është kremtim i marrëdhënieve të thella ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Ky është investimi më i madh dhe më inovativ i bërë ndonjëherë në Kosovë në sektorin e energjisë. Programi Kompakt do të jetë gurthemeli i tranzicionit tonë të gjelbër dhe do të kontribuojë në sigurinë tonë energjetike dhe transformimin socio-ekonomik”.

“Kështu, Kosova për herë të parë po krijon kapacitetet e saj të para për akumulimin me bateri të energjisë elektrike, si dhe po investon në zhvillimin e shkathtësive të reja në sektorin e energjisë, duke u përgatitur për tranzicionin e drejtë energjetik”.

Kosova dhe MCC kanë nënshkruar në Washington Programin e ri Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i kursejë shtetit miliona euro në vit.

Kjo marrëveshje pritet që sot të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/