Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se me akomodimin e të burgosurve danezë Kosova do të përfitojë një donacion milionësh, para të cilat, siç tha ajo, do t’i orientojë në sistem të drejtësisë, Shërbimin Korrektues të Kosovës, por edhe për energjinë e ripërtritshme.
Këto komente ministrja Haxhiu i bëri në konferencën ndërkombëtare “Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e të burgosurve në Kosovë: Implikimet në Standardet e të Drejtave të Njeriut”, të organizuar nga Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
“Ministria e Drejtësisë në Kosovë zotohet për ofrimin në shfrytëzim të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan për të burgosurit, të cilët do të sillen nga Mbretëria e Danimarkës dhe po ashtu si kompensim për këtë Republika e Kosovës përfiton një donacion milionësh, që do ta orientojë më pas edhe për sistemin e drejtësisë dhe për shërbimin korrektues të Kosovës, por po ashtu edhe për energjinë e ripërtritshme”, tha Haxhiu, transmeton KP.
Ajo theksoi se e vlerëson faktin se Kosova është konsideruar si palë serioze lidhur me këtë çështje. Ndërkohë bëri të ditur se kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Danimarkën rreth transferimit të të dënuarve.
“Republika e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që t’i ndihmojë Mbretërisë së Danimarkës, me kërkesën që ka pasur, me transferimin e të dënuarve që aktualisht mbahen në burgjet e Mbretërisë së Danimarkës, për faktin se Mbretërinë e Danimarkës është një shtet mik i yni dhe i ka ndihmuar Republikës së Kosovës për vite të tëra. Prandaj besoj se në rrethana të tilla kur ne apo një shtet mik ka nevojë për ne, është mirë që t’i gjendemi pranë. Unë vlerësoj faktin që Republika e Kosovës është vlerësuar si serioze për idenë e transferimit të të dënuarve që aktualisht mbahen në institucionet korrektuese në Mbretërinë e Danimarkës”, potencoi Haxhiu
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se janë të pakta shtetet të cilat kanë arritur ta realizojnë këtë lloj të marrëveshjes.
“Ky lloj i marrëveshjes konsiderohet unik në praktikën e së drejtës ndërkombëtare dhe janë pak raste në Kontinentin Evropian kur shtetet e kanë arritur këtë lloj marrëveshjeje. Për Kosovën do të jetë rast i veçantë nga dy këndvështrime, e para si marrëveshje bilaterale dhe e dyta përgjegjësia ndaj instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, tha ajo
Ndërkaq, avokati i popullit, Naim Qelaj, foli për rëndësinë e aktiviteteve të cilat do të mbahen në këtë Qendër të Paraburgimit në Gjilan, pasi që siç tha ai, ka persona të cilët janë të dënuar me dënime të gjata. /kp/Telegrafi/