Telegrafi

Marrëveshja për energjinë, reagon Rama: Kjo është rruga e duhur, të tjerat humbje kohe duke gënjyer veten

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur “gjë shumë të mirë” marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë.

Në një postim në Twitter, ai ka shkruar se kjo është rruga e duhur, ndërsa të tjerat humbje kohe.

“Gjë shumë e mirë marrëveshja e firmosur mes Kosovës e Serbisë për energjinë në Veri. Kjo është rruga e duhur. Të tjerat janë humbje kohe duke rrejt veten!”, ka shkruar Rama.

Kosova e Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë të martën marrëveshjen për energjinë, e cila parasheh faturimin e energjisë elektrike për komunat veriore të Kosovës.

Lexo po ashtu Ramush Haradinaj e përkrah marrëveshjen me Serbinë për energjinë

Për këtë marrëveshje ka reaguar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili e ka cilësuar si hap të rëndësishëm në dialog.

“Fola me Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti për t’i uruar ata për arritjen e një marrëveshjeje mbi udhërrëfyesin e energjisë sot”, ka shkruar ai në ‘Twitter’.

“Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të japë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët. Mezi presim të vazhdojmë të punojmë në hapat e ardhshëm”./Telegrafi/