Site icon Telegrafi

Marrëveshja për energjinë është reciproke

Ministrja për dialog Edita Tahiri ka deklaruar për Telegrafin se marrëveshja për energjinë është e bazuar në reciprocitet të plotë mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, edhe Kosova mund të realizojë furnizimin me energji të qytetarëve të Serbisë përmes kompanive të saja që regjistrohen atje dhe marrin licencë për furnizim.

“Pra, me këtë Marrëveshje, Serbia detyrohet që të lejojë Kosovën që me kompanitë e saja të ofroj shërbime në Serbi. Kështu, kompania publike për furnizim e Republikës së Kosovës KESCO, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energji mund të regjistroj një kompani të sajë në Serbi dhe të furnizoj me energji qytetarët e Serbisë. Ne do të inkurajojmë KESCO-n si kompani publike e Kosovës që ta bëjë një gjë të tillë dhe të furnizoj me energji sidomos komunat e Luginës së Preshevës”.

Sipas Tahirit, reciprociteti i kësaj marrëveshje bazohet në Ligjet e Kosovës, Ligjet e BE-së dhe Traktatin e Athinës për energji me të cilën vendet e Evropës Juglindore kanë hapur tregun për furnizim të energjisë.

“Pra, për të sqaruar opinion, marrëveshja për energjinë bazohet në reciprocitet dhe krejt çka vlen për njërën palë vlen edhe për tjetrën. Po ashtu, reciprociteti vlen edhe në fushën e shitblerjes së energjisë sepse këtë e lejojnë Ligjet e Kosovës. Nga ana tjetër, Marrëveshja nuk lejon që të ketë një distributor tjetër të energjisë në Kosovë sepse këtë nuk e lejojnë ligjet e Kosovës, prandaj distributor i vetëm në Kosovë është KEDS-i”. /Telegrafi/

Exit mobile version