Telegrafi

Marrëveshja mes klubeve arrihet, Leverkusen dhe Chelsea dakordohen për Kai Havertz

Më në fund është arritur marrëveshja mes Chelseat dhe Bayer Leverkusenit për talentin gjerman Kai Havertz.

Mesfushori i talentuar gjerman është objektivi kryesor i Chelseat me trajnerin Frank Lampard që e kërkonte me ngulm.

Por pas shumë bisedimeve, më në fund dy klubet kanë arritur marrëveshje për transferimin e Havertz në Londër.

Chelsea ka ofruar 80 milionë euro para si dhe 20 milionë të tjera në formë bonusesh për gjermanin.

Pas shumë hezitimesh nga Leverkusen, më në fund klubi gjerman është pajtuar me këtë ofertë të Chelseat.

Gazetari i specializuar për tregun e transferimeve, Fabrizio Romano ka shkruar se gjatë ditëve të ardhshme pritet zyrtarizimi nga dy klubet.

Ndërkohë Havertz javë më parë kishte arritur marrëveshje personale me Chelsean për një kontratë pesë vjeçare.

21-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 45 ndeshje zyrtare me Leverkusen, ku ka shënuar 18 gola dhe ka bërë nëntë asistime. /Telegrafi/