Marrëveshje trialetarle në fushën e mbrojtjes është nënshkruar sot në Tiranë në mes të tri shteteve: Shqipërisë, Kroacisë e Kosovës.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin, ne u tregojmë qe jemi së bashku dhe nuk do te lejojmë qe askush të destabilizoi rajonin. Rëndësia e këtij bashkëpunimi shtrihet edhe në rrafshin tjetër, veçanërisht në aspektin e industrisë së mbrojtjes dhe shkëmbimit të personelit në aspektin e trajnimit e po ashtu mbështetjen e pa rezervë të dy vendeve për integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, tha Maqedonci.
Ai shtoi se ky angazhim i përbashkët mundëson edhe hap rrugë që edhe vendet tjera t’i bashkëngjiten kësaj përpjekje tonë të përbashkët për paqe, stabilitet e më shumë siguri.
“Falënderoj ministrin e Shqipërisë dhe Kroacisë për ketë nisme, vlerësoj se kjo marrëveshje është e para trilaterale ne rajon. Edhe njëherë, kjo marrëveshje është mesazh për çdo vend i cili ka qellim destabilizimin, ne jemi bashkë dhe presim që të bashkohen edhe vende të tjera”, ka theksuar Maqedonci.
Kjo marrëveshje do të jetë e shtrirë në katër pika: Promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes; Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; Kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike dhe Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale./Telegrafi/