Site icon Telegrafi

Marrëveshja Kosovë-Serbi për sigurime në favor të shtetasve serbë

Publicisti Adriatik Kelmendi vlerësoi të mërkurën se marrëveshja Kosovë-Serbi për sigurime nuk është fare reciproke dhe shumë më tepër i shkon në favor shtetasve serbë se sa atyre kosovarë.

Lexoni të plotë reagimin e Kelmendit në ditën kur filloj të zbatohet kjo marrëveshje.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi për sigurime, nuk është fare reciproke, dhe sërish shumë më tepër i shkon në favor shtetasve serbë se sa atyre kosovarë.

E para, tash e tutje automjetet me targa të Serbisë do të paguajnë 0 (zero) euro për të hyrë në Kosovë, derisa automjetet me targa të Kosovës do të detyrohen të paguajnë TPL+ në shumën prej 40 eurosh. Kosova do t’ia njohë Serbisë polisën e zakonshme të sigurimit, kurse Serbia Kosovës jo.

E dyta, paradoksalisht, edhe pse tash në TPL+ do të shënohet numri i targës RKS, delegacioni kosovar sërish ka dështuar që të sigurojë që nëpër territorin e Serbisë të udhëtohet me tabela RKS. Sërish, me të hyrë në Serbi, duhet hequr tabelat RKS dhe vendosur ato të letrës “Proba”, të cilat më herët kanë kushtuar 5 euro në ditë. Nëse kjo shumë ka mbetur në fuqi, i bie se 40 eurove për TPL+ do t’i shtohen nga 5 euro për çdo ditë të qëndrimit me automjet në territor të Serbisë. Në anën tjetër, automjetet me targa të Serbisë nuk do t’i ndërrojnë ato dhe sërish do të paguajnë 0 (zero) euro.

E treta, duke ia njohur vetëm shtetasve të Serbisë të drejtën e hyrjes në Kosovë pa paguar asnjë euro shtesë për sigurim kufitar, Kosova po ia njeh këtë të drejtë vetëm shtetasve të shtetit i cili mohon ekzistencën e saj, kurse “takson” të gjithë të tjerët, përfshirë edhe shqiptarët e edhe shtetet që e kanë njohur shtetësinë. Për më tepër dhe më konkretisht, bashkatdhetarët me tabela të huaja do të vazhdojnë të paguajnë sigurimin kufitar prej rreth 20 eurosh (me zbritjen e fundit prej 50%), kurse shtetasit serbë nuk do të paguajnë fare!

Me gjithë këto lëshime, kjo marrëveshje duhet parë vetëm si një hap para, por jo edhe zgjidhje e problemit. Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të fillojë të bëjë presion që të njihen targat e Kosovës nga Serbia dhe pastaj të arrihet edhe reciprocitet i plotë në njohjen e polisave.

Një situatë tjetër që mund tash të shfrytëzohet nga Kosova, është që të bëhet presion te Këshilli i Byrove në Bruksel që Kosova të pranohet në Kartonin e Gjelbër, meqë sigurimet kosovare po i pranon edhe Serbia”. (sic). /Telegrafi/

Exit mobile version