Marrëveshja historike për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump është diskutuar në tryezën e diskutimit nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).
Ish-kryeministri i Kosovës Avdulla Hoti duke komentuar mbi marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë tha se qëndrimi i lidershipit të atëhershëm ishte që e ardhmja e popullit të Kosovës të përqendrohet në një proces konsultativ me miqtë edhe aleatët.
“Qëllimi i asaj marrëveshje është të shtyhen dy vendet drejtë marrëveshjes përfundimtare me një mbështetje shumë të madhe të projekteve kryesisht infrastrukturore që në një farë mënyre i bëmë ekonomitë më të ndërlidhura mes vete. Dhe vendosëm Kosovën në qendër infrastrukturore në komplet Ballkanin po marrëveshja ka qenë për normalizim ekonomik mes dy vendeve ndërkohë që në Bruksel vazhdonte dialogu për njohje reciproke”, tha Hoti.
Deputeti Hoti shtoi se tashmë procesi është kthyer në pikën zero ku sipas tij Kosova po trajtohet në tavolinat ndërkombëtare të aleatëve si problem i sigurisë në Ballkan.
“Unë jam i shqetësuar si ka shku ky proces gjatë vitit të fundit. Kur e kam dorëzu mandatin e kemi dorëzu një proces të dialogut të kornizuar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke. Unë besoj që qeveri pas qeverie deri në qeverinë që unë kam qenë kryeministër kemi punuar ngushtë me aleatët që çështja e Kosovës të jetë sfidë për integrim euroatlantik e jo sfidë e sigurisë. Tash kam frikë që gjatë viteve të fundit jemi kthyer prapë në pikën zero ku Kosova tash trajtohet në tavolinat ndërkombëtare të aleatëve si problem i sigurisë në Ballkan. Besoj që kjo nuk na shërben në asnjë drejtim as politik. Është ndërtuar një status quo e re.
Kjo nënkupton që nuk ka më dialog për njohje reciproke është arrit një marrëveshje në Bruksel dhe aneksi i Ohrit dhe ka një presion për zbatim të disa aranzhimeve të parapara në aneksin e Ohrit… jam i bindur se nuk ka zgjidhje tjetër përveç një njohje reciproke ndërmjet dy vendeve por e keqja është se është ndërtuar një status quo e re dhe ju e dini se ato krijojnë pasiguri që jemi duke e përjetuar në kohën e fundit”, shtoi Hoti.
Hoti ka hezituar të komentoj politikat e presidentëve amerikanë derisa beson që presidenti aktual karshi dialogut Kosovë-Serbi do të ketë qasje më pragmatike.
“Unë hezitoj të interpretoj politikat e presidentëve amerikanë sepse është jashtë kapacitetit tim për të kuptu plotësisht krejt atë kompleksitetin e politikë-bërjes në Amerikë. Se si do të qaset tani presidenti i ri karshi dialogut Kosovë-Serbi në marrëdhëniet regjionale, normalizimin ekonomik po tentoj të besoj që do të shohim një qasje shumë më pragmatike”, shtoi Hoti.
Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka tha se janë një prej organizatave të rralla që është duke organizuar aktivitete për të përafruar bizneset e Kosovës me ato të Serbisë.
Zeka shtoi se përgjatë këtyre viteve kanë mbështetur dispozitat e marrëveshjes së Uashingtonit.
“Si asnjëherë tjetër nuk ka ndodhur që një marrëveshje e tillë e rëndësishme si ajo për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësohet drejtpërsëdrejti nga SHBA dhe të nënshkruhet në njërin prej institucioneve më të rëndësishme jo vetëm amerikane por edhe globale…. Jemi krenar që Oda Amerikane edhe në atë kohë edhe përgjatë këtyre katër viteve ka vazhduar të mbështes dispozitat e marrëveshjes së Uashingtonit”, tha Zeka.
Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u nënshkrua më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump. /Kp/Telegrafi/