Site icon Telegrafi

“Marrëveshja është e pamjaftueshme”, “barrë për Kosovën”, qëndrimet e dy partive opozitare për Marrëveshjen e Ohrit

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia u pajtuan për planin e zbatimit të Propozimit evropian.

Marrëveshja e Ohrit ndonëse nuk u nënshkrua ajo u tha është bërë ligjërisht e detyrueshme në momentin kur Bashkimi Evropian doli me njoftimin.

Por, Marrëveshja e Ohrit nuk e ka përkrahjen e opozitës në Kosovë, gjegjësisht të dy partive më të mëdha opozitare.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi një ditë më parë në takimin me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomaz Szunyog ka folur për këtë marrëveshje.

Ai bëri të ditur se edhe ambasadorit Szunyog ia ka përsëritur qëndrimin e tij dhe të PDK-së në lidhje me këtë marrëveshje, e cila sipas tij është e pamjaftueshme dhe mundësi të humbur për të përmbyllur konfliktin e ngrirë prej dekadash me Serbinë.

“Kjo marrëveshje është rezultat i gabimeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti dhe nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.

Bashkë diskutuam edhe për procesin e reformës zgjedhore, i cili është duke u përmbyllur me sukses, si dhe për punën tonë si Grup Parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Ambasadorin Szunyog e falënderova për angazhimin e Bashkimit Evropian për të lehtësuar dhe ndihmuar proceset me rëndësi në Republikën e Kosovës”, shkruan Krasniqi.

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në takimin me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomaz Szunyog

E për marrëveshjen ka folur një ditë më parë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai njoftoi se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së partisë kanë diskutuar për zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë-Serbi, gjersa theksoi se në procesin e dialogut janë bërë lëshime të mëdha nga pala kosovare.

Lexo po ashtu Abdixhiku kritikon Kurtin, thotë se po bën lëshime të mëdha në dialogun me Serbinë

“Sot, mbajtëm mbledhjen e radhës së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi temën e dialogut dhe lëshimet e mëdha të bëra në këtë proces”, ka shkruar Abdixhiku, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, këto lëshime, përveç se humbje e një mundësie për avancim substancial të pozicionit shtetar të Kosovës, tashmë po shndërrohen dhe në kushte obligative integruese për vendin tonë; adaptimi me të cilat do të jetë sa i pashmangshëm aq edhe sfidues.

Ndryshe, të dy partitë opozitare janë shprehur kundër kësaj marrëveshje. Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përkrahur Propozimin evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka përmendur muajin e kaluar tri kushte të Kosovës për formim të Asociacionit.

“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”, ka thënë Bislimi para Parlamentit Evropian në Bruksel. /Telegrafi/

Exit mobile version